14 November
Nga viti në vit ritet numri i numri i personave të prekur nga sëmundja kronike e mushkërive. Një ndër faktorët kyç është niveli i lartë i ndotjes së ajrit dhe koncentrimi i grimcave kancerogjene. Sipas të dhënave të Klinikës së Pulmologjisë në Shkup nga muaji nëntor e deri në mars shënohet rritje prej 15% e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje. Në këtë periudhë të vitit janë shumë të shpeshta edhe infeksionet respiratore dhe hospitalizimi i pacientëve.
Jemi dëshmitarë të nivelit të lartë të ajrit të ndotur, koncentrimit të grimcave PM10 dhe jo vetëm. Kemi prezentë të gjitha grimcat e rrezikshme në ajër, kemi një përzierje të shumë ndotësve të ajrit dhe kjo ndikon shumë në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve me astmë dhe sëmundje të mushkërive, po ashtu dhe si pasojë e kësaj rritet numri i infeksioneve te organet respiratore dhe kjo është njëra ndër arsyet që në këtë periudhë kemi numër të shtuar të pacientëve krahasuar me periudhën e verës kur numri i pacientëve nuk është i lartë – u shpreh Dejan Dokiq, Drejtor i Klinikës së Pulmologjisë dhe Alergologjisë.
Pulmologët kërkojnë nga Institucionet kompetente që të investojnë në këtë klinikë në pajisje të cilat do të ndikojnë në uljen e numrit të pacientëve.
Është shumë e rëndësishme që Qeveria dhe ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor t’iu përgjigjen apeleve të pacientëve dhe neve mjekëve për nevojat e pacientëve për furnizimin me terapitë moderne si të shërohen të sëmurët – tha Biserka Kaeva, Mjeke Alergologe.
Të dhënat nga Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë në Shkup tregojnë se për dallim nga vite më parë, nga viti 2014 e deri në vitin 2017 numri i të prekurve nga sëmundjet kronike të mushkërive është rritur për rreth 400. Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit Jetësor shënuan nivel të lartë të ndotjes së ajrit edhe sot. Komunat në të cilat koncentrimi i grimcave PM10 dhe PM 2,5 është më i lartë janë Tetova, Kërcova, Manastiri, Karposhi dhe vendbanimi i quajtur Rektorat.
Vjollca Aliti

