Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, avokatët e ish-kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqitën argumentet e tyre kundër pretendimeve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Mbrojtja e Berishës u mbështet në tre shtylla kryesore. Së pari, mbrojtja thotë se SPAK është në tejkalim kompetencash dhe se nuk mund te vlerësojë bazën ligjore, VKM apo politikat qe ndjek një qeveri. Këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.
Së dyti, mbrojtja pretendoi mungesë të faktit penal, duke theksuar se SPAK nuk ka arritur të identifikojë veprime konkrete të Sali Berishës që përbëjnë shkelje të ligjit.
Sipas avokatëve, akuza bazohet në një veprimtari të përgjithshme administrative dhe jo në akte individuale me pasoja penale të provuara. Ata theksuan se aktet e përmendura nga Prokuroria kanë karakter të përgjithshëm dhe se SPAK ka ndërtuar akuzën duke përcaktuar fillimisht fajtorin dhe më pas fajin. Po ashtu, mbrojtja deklaroi se nuk ekziston asnjë provë apo dëshmi që Berisha të ketë pasur një marrëveshje paraprake për privatizimin, apo që të ketë përfituar ryshfet përmes dhëndrit të tij, duke shtuar se pretendimet e Prokurorisë mbështeten vetëm në deduksione.
Së treti, mbrojtja ngriti pretendimin se ndjekja penale ka qenë e ndikuar politikisht. Sipas tyre, kjo provohet nga deklarata publike të kryeministrit Edi Rama, ambasadores Yuri Kim dhe ish-zyrtarit amerikan Gabriel Escobar. Avokatët thanë se Rama i ka bërë thirrje publike SPAK-ut për të hetuar çështjen, duke dhënë edhe orientime mbi mënyrën e hetimit. Gjithashtu, u përmend kallëzimi i bërë nga shumica parlamentare, i cili sipas mbrojtjes është shqyrtuar jashtë afateve ligjore dhe përmban rrethana të rreme që nuk janë hetuar nga SPAK.


