Turku Nihat Ozbek, i arrestuar në Rinas nën dyshime se është drejtues i një organizate të trafikut të heroinës dhe në pritje të ekstradimit drejt Gjermanisë, ka ngritur një sërë shqetësimesh për kushtet në të cilat po mbahet në paraburgim.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Ozbek pretendon se po i shkelen të drejtat themelore dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve për verifikimin e situatës.
“Që nga momenti që jam vendosur tek ky institucion, jam trajtuar në mënyrë të diskriminuar. Nuk mund të komunikoj me familjen time me telefon apo Skype, nuk më lejojnë të marr ushqim nga jashtë apo të kem takime me familjarët”, shprehet ai në kërkesën e bërë publike.
Ozbek shton se situata familjare e tij është tepër e rënduar, duke theksuar se ka gruan e sëmurë dhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërkohë që i është ndaluar të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.
Ai gjithashtu pretendon se mbahet në izolim të plotë në sektorin e njohur si “Kaush”, pa kontakt me persona të tjerë dhe nën presion të vazhdueshëm.
“Ndjehem në gjendje të rënduar psikologjike nga kjo situatë”, deklaron Ozbek, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare që të hetojnë dhe të përmirësojnë kushtet e paraburgimit.
Institucionet përkatëse nuk kanë reaguar ende mbi kërkesën e paraqitur nga Ozbek, ndërsa procesi për ekstradimin e tij drejt Gjermanisë vijon.
Kërkesa e plotë:
KËRKESË-ANKESË
Kërkues: Nihat Ozbek i biri i Zeki dhe Emine ,i datëlindjes 14.11.1967, lindur dhe banues në Turqi ,aktualisht pranë I.E.V.P “313,Jordan Misja , Tiranë me shtetësi Turke, me adrese njoftimi: Rr. Haxhi Hysen Dalliu, P.Nordin, Zyra Nr. 8, Tiranë.
Drejtuar: Ministrisë Drejtësisë dhe Komitetit të Helsinkit.
Lënda: Kërkesë për ndërhyrje lidhur me trajtimin e shtetasit turk Nihat Ozbek, aktualisht i paraburgosur I.E.V.P “313, Jordan Misja , Tiranë.
Baza Ligjore: Neni 27 dhe 28 I Kushtetutës së Republikës së Shqipërise , Nenin 3 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; Ligjin nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar;
Të nderuar ,
Unë i nënshkruari Nihat Ozbek ndodhem aktualisht në paraburgim në Shqipëri në kuadër të një procedure ekstradimi drejt Gjermanisë, po ju drejtohem me këtë kërkesë për të denoncuar shkeljen e të drejtave të tij themelore që janë duke mu bërë dhe për të kërkuar ndërhyrjen tuaj.
Pasi që nga momenti që jam vendosur tek ky institucion jam trajtuar në mënyre te diskriminuar nuk mund te komunikoj me familjen time me telefon , me skype, nuk më lejojnë që të marrë ushqim nga jashtë apo takime me familjen time, pasi kam gruan e sëmurë dhe dy fëmijët me aftësi të kufizuara, gjithashtu pra një jave me ndërroi jetë babi dhe nuk me kanë lënë të jap lamtumirën e fundit.
Gjatë kohës që jam vendosur ne paaburgim më mbajnë të izoluar tek sektori “Kaush”, pa pasur komunikime me njeri, duke me bërë presion , ndihem në gjëndje të rënduar psikologjike nga kjo situate.
Ky kufizim ekstrem, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, përbën një cenim të rëndë të të drejtës për kontakt me familjen, si dhe një formë trajtimi çnjerëzor dhe degradues në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Shqipërise , me Ligjin nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut;Parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare mbi trajtimin e të ndaluarve dhe të paraburgosurve.
Kjo situatë është shqetësuese për faktin se kufizimi nuk lidhet me ndonjë rrezik real për sigurinë apo prishjen e provave, por duket se ka natyrë ndëshkuese dhe diskriminuese për shkak të shtetësisë sime dhe rrethanave të veçanta të çështjes.
Për sa më sipër kërkoj:
Verifikimin e kushteve aktuale të paraburgimit për shtetasin turk Nihat Ozbek.
Marrjen e masave për garantimin e të drejtës së tij për komunikim me familjen;
Ndërprerjen e menjëhershme të masës së izolimit, përderisa ajo nuk është e mbështetur në ndonjë vendim ligjor të arsyetuar.
Në pritje të një reagimi institucional dhe human, ju falënderoj për vëmendjen.
Me respekt,
Ankuesi
Nihat Ozbek