Për herë të partë që nga konflikti i vitit 2001, situata politike në tërësi, kriza politike është problemi më serioz për qytetarët e Maqedonisë, e që është ndjekur nga papunësia, varfëria, kriza ekonomike dhe platforma e nënshkruar nga liderët e partive shqiptare. Kështu vlerëson Instituti Nacional Demokratik, NDI, pas një ankete të zhvilluar në mars të këtij viti, me mbështetje financiare të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar.
Sipas NDI-së, pothuajse dy të tretat e të anketuarve besojnë se Maqedonia po lëvizë në drejtim të gabuar, derisa vetëm 8% e qytetarëve mendojnë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur.
“Presidenti i Maqedonisë është institucioni më i besuar ndër qytetarët e etnitetit maqedonas, derisa është institucioni më pak i besueshëm tek qytetarët e etnitetit shqiptarë. Zyra e Prokurorisë speciale është institucioni më i besueshëm për shqiptarët, ndërsa institucioni i dytë më i besueshëm për maqedonasit. Gjykatat dhe Prokuroria publike janë institucionet më pak të besueshme në Maqedoni. Pothuajse 60% e qytetarëve mendojnë se mandati i PSP-së që të ndjek penalisht veprat e dala nga bisedat e përgjuara, duhet të zgjatet”, tregojnë rezultatet e anketës së NDI-së.
Sa i përket formimit të Qeverisë së re, më shumë se gjysma e qytetarëve besojnë se LSDM dhe partnerët e koalicionit kanë autoritetin për të udhëhequr atë, ndërsa 40% mendojnë se Qeveria do të jetë legjitime edhe pa dhënien e mandatit nga ana e Presidentit, Ivanov.
“Pothuajse dy të tretat e qytetarëve besojnë se shumica e deputetëve mund të formojnë Qeverinë, ndërsa gjysma e qytetarëve të Maqedonisë (51%) besojnë se LSDM dhe partnerët e koalicionit kanë autoritetin për të udhëhequr Qeverinë. Megjithatë, vetëm 40% mendojnë se formimi i Qeverisë nga shumica e deputetëve është legjitime pa dhënien e mandatit nga ana e Presidentit Ivanov”, thonë rezultatet.
Ndërkohë sa i përket Deklaratës së përbashkët të Partive Shqiptare (Platforma shqiptare), në bazë të anketës së realizuar, NDI thotë se 8 nga dhjetë qytetarë të Maqedonisë (81%) nuk e kanë lexuar Platformën e nënshkruar nga partitë politike shqiptare. Kjo platform është prioritare vetëm për 1.8% të qytetarëve të anketuar, ndërkohë që qytetarët janë shprehur se rritja e ekonomisë, fundi i krizës politike, punësimi, unifikimi i vendit dhe rregullat e drejtësisë, duhet të jenë në maja të pesë prioriteteve të Qeverisë së re.