Brenda vitit 2026 do të fillojnë punët për ndërtimin e Sahat Kullës në Tetovë. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pas nënshkrimit të memorandum bashkëpunimit me drejtorin e Qendrës Nacionale për Konservim, Aleksandar Jordanoski. Financimi i Sahat Kullës bëhet nga Komuna e Konjës me vlerë rreth 200 mijë euro, ndërsa nuk ka afat konkret se kur do të përfundojnë punët.
“Pas shumë përpjekjeve edhe njëherë e rikthejmë në jetë temën e ndërtimit apo më mirë thënë të rindërtimit të Sahat Kullës.Në këtë drejtim, pas shumë përgatitjeve, bashkë me drejtorin e Qendrës për Konservim,vendosëm bashkëpunimin ndërinstitucional për rrugëtimin e këtij projekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Tetovës. Paraprakisht e dini që ka pasur disa tentime, ka pasur edhe sigurim të mjeteve financiare të përkrahjeve financiare, por nuk u arrit të realizohet ky projekt si pjesë e trashëgimisë kulturore. Është siguruar një donacion nga Komuna e Konjës (Turqi). Besoj që aktivitetet e para ndërtimore do të fillojnë brenda vitit 2026”, deklaroi Bilall Kasami.
Drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Aleksandar Jordanoski, thotë se qendra që drejton ai i bashkangjitet iniciativës së kryetarit të Komunës së Tetovës për përshpejtimin e hapave për ndërtimin e Sahat Kullës. “Qendra Nacionale për Konservim do të fillojë të gjitha punët përgatitore të patjetërsueshme duke filluar nga valorizimi i trashëgimisë kulturore, kontrolli i projektit të deritanishëm deri tek revidimi i gjithë dokumentacionit. Në fund të vitit 2005 dhe fillim të vitit 2006 kanë filluar gërmimet arkeologjike, që është një procedurë e nevojshme ligjore kur duhet të fillojnë të realizohet ndonjë projekt i kësaj natyre. Në vitin 2016 është bërë projekti, janë dhënë vërejtje të caktuara dhe aty ka ngecur procedura”, tha drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Aleksandar Jordanoski.
Në ndërkohë, sipas Jordanoskit, Sahat Kulla daton si objekt që nga periudha Osmane, ndërsa sipas dokumenteve, ky objekt është ndërtuar ndërmjet viteve 1566-1576. Për herë të parë përmendet në vitin 1608, ndërsa në shekullin 17 Tetova përfshihet nga një zjarr i madh dhe digjen shumë objekteve të ndërtuara deri atëherë. Duke treguar historinë e këtij objekti, drejtori Jordanoski tha se Rexhep Pasha në vitin 1822 e rindërton Sahat Kullën dhe si objekt i tillë qëndron rreth 100 vite, deri në vitin 1933, kur me planin e atëhershëm urbanistik vendoset që aty të kalojë një rrugë dhe objekti më nuk ka ekzistuar. Sipas tij, disa herë ka patur iniciativa që Sahat Kulla në Tetovë të ndërtohet, por kësaj rradhe përfundimisht premtimi do të mbahet. (koha.mk)


