Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot ka realizuar takim me u.d. kryetarin e Komunës së Ohrit, Konstantin Georgievski dhe u.d. drejtoren e IN Enti dhe Muzeu Ohër, Eleonora Novakovska me përfaqësues dhe kryetar të shoqatës së qytetarëve “Sovest”, Mihail Trendafillov, njofton Portalb.mk.
Në takim është biseduar për çështjen e ndërtimit të minarës së Xhamisë “Ali Pasha” në qendër të Ohrit, që sipas autoriteteve komunale, por edhe organizatës joqeveritare “Sovest”, po ndërtohet pa leje.
“në takim kemi biseduar për problemet e trashëguara për ndërtimin kontestues pa dokumentacion përkatës të një pjese të objektit religjioz në qendër të qytetit dhe për gjetjen e zgjidhjes në pajtueshmëri me ligjin, por është diskutuar edhe për aspektet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Ohër, e cila është me rëndësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Sipas kumtesës, kryeministri ka theksuar se institucionet do të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet e Maqedonisë së Veriut dhe nëpërmjet dialogut me të gjitha palët e përfshira dhe duke e pasur parasysh se kjo çështje është mjaft sensitive, do të gjendet zgjidhje në interes të qytetarëve të Ohrit dhe të shtetit e cila mbetet e përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore që e posedon qyteti i Ohrit.
Në periudhën e kaluar, kundër ndërtimit të minares kanë protestuar nga shoqata “Sovest”. Për shkak të protestave, ndërtimi i minares është ndaluar. Portalb.mk ka tentuar që të kontaktojë me përfaqësuesit e BFI-së, por të njëjtët nuk kanë qenë të kapshëm për redaksinë tonë.
Ministria e Kulturës në shkurt të vitit 2018, formoi Komision nga persona profesional që t’i inspektojë rrethanat në lidhje me restaurimin e Xhamisë Ali Pasha në Ohër. Grupi punues erdhi në përfundim se ministri i Kulturës nuk ka bazë që t’i ndërpret punimet, por i inkurajon të gjitha institucionet kompetente të veprojnë nëse ka indikacione për shkelje të procedurave ligjore.
Xhamia e “Ali Pashës” është ndërtuar në vitin 1573 nga Sulejman Pasha. Në këtë kohë ajo gjithashtu shërbeu si një shkollë e mesme fetare. Më vonë në vitin 1823 xhamia është rinovuar nga veziri Ali Pasha, prandaj edhe e ka marrë emrin e tij.