Ka ndërruar jetë dr. Ferid Sadiku, kardiologu i parë i Gostivarit, një nga figurat më të respektuara të mjekësisë dhe jetës qytetare në këtë qytet.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur Arben Taravari, i cili në një mesazh prekës vlerësoi kontributin dhe personalitetin e dr. Sadikut. Sipas tij, dr. Ferid Sadiku ishte një mjek dhe njeri i jashtëzakonshëm, që gjatë veprimtarisë së tij profesionale ka ndihmuar mijëra qytetarë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shëndetësinë lokale.
Në vitin 2021, dr. Ferid Sadiku u shpall Qytetar Nderi i Gostivarit, si vlerësim për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e tij ndër vite.
“Sot i japim lamtumirën me nderimet që i bëhen një Qytetari Model”, ka shkruar Taravari, duke shtuar se ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për gjithë Gostivarin.
Vdekja e dr. Ferid Sadikut ka prekur thellë qytetarët, kolegët dhe pacientët e shumtë që e njohën dhe e vlerësuan për punën dhe njerëzinë e tij. Ngushëllime familjes dhe të afërmve. (INA)


