Qyteti i Shkupit ka ndërprerë punimet për zgjerimin e bulevardit “Hristijan Todorovski Karposh, i cili duhej të lidhë lagjet shqiptare me qarkoren e kryeqytetit. Para zgjedhjeve lokale, ish kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, bashkë me ish kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti, në mënyrë pomopoze shënuan nisjen e punimeve për zgjerimin e bulevardit, i cili pritej të shkarkojë trafikun në këtë pjesë të qytetit, shkruan Almakos.
“Punohet në disa projekte të përbashkëta apo që janë investime nga Qyteti i Shkupit në Komunën e Çairit, siç është zgjerimi i rrugës së ‘Jahja Pashës’ apo ‘Cvetan Dimov’, që është në realizim e sipër dhe këto ditë duhet të merr intensitet më të madh. Kah fundi i vitit, prej shtatorit pritet të zgjerohet edhe rruga prej në ‘Xhon Kenedi’, pra rruga ‘Kristijan Todorovski-Karposh’ deri tek Komuna e Çairit”, pati deklaruar ish kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Mirëpo, për kryetarin e ri të komunës Çair, Visar Ganiu, projekti për zgjerimin e bulevardit në fjalë është përgjegjësi kryekëput e qytetit të Shkupit, përkundër asaj se qytetarët e kësaj komune përballen me trotuare me gropa dhe puseta të ç ‘veshura të kanalizimit, ku mund të aksidentohen.
Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla thotë se ligjërisht kryeqyteti kujdeset për mirëmbajtjen e bulevardeve. Bile, Alla citon edhe nenet e ligjit për të na dëshmuar se mirëmbajtja e bulevardeve nuk është kompetencë e komunës.
“Arsyen për ndërprerjen e punimeve në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” duhet ta elaborojë institucioni kompetent në fjalë. Presim konsolidimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe realizimin e një bashkëpunimi korrekt dhe efikas me Qytetin e Shkupit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në territorin e Komunës së Çairit”, deklaroi Alla për Almakos.
Nga qyteti i Shkupit thonë se punimet për zgjerimin e bulevardit janë ndaluar për shkak të kushteve të vështira klimatike si dhe për shkak të zbatimit të masave kundër ndotjes së ajrit. Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu thotë se punimet do të rinisin atëherë kur të konstatojnë se është kohë e përshtatshme për punë.
Mirëpo, sipas njohurive të Almakos, punimet për zgjerimin e bulevardit janë ndërprerë në nëtor të viti të kaluar, menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, kur moti ka qenë i mirë dhe nuk ka pasur ndotje të ajrit.
Mevludin Imeri
Almakos