Ndërkombëtarët theksojnë nevojën që anëtarët e Këshillit të Agjencisë së Mediave të jenë profesionistë dhe të pavarur. Reagimet e tyre vinë pas kalimit të filtrit të parë në Kuvend të disa prej kandidatëve të cilët kanë ose kanë pasur aktivitet politik që lidhet me ndonjërën nga partitë politike. Nga delegacioni i BE-së në Shkup thonë për Alsat se kandidatët duhet të kompetencat dhe përvojën për këtë funksion.
“BE-ja ndjek nga afër procesin e përzgjedhjes nga Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet për anëtarët e rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, një organ i ngarkuar me kompetenca të konsiderueshme për të mbikëqyrur menaxhimin dhe veprimet e agjencisë dhe për të siguruar mbrojtjen dhe zhvillimin e pluralizmit të shërbimeve mediatike në vend. Theksojmë rëndësinë që kandidatët të përzgjidhen dhe të propozohen për emërim në përputhje me kriteret e përcaktuara në Ligjin për ASHMAA dhe, në veçanti, që ata të kenë kompetencat dhe përvojën e nevojshme për funksionet e tyre”, thonë nga Delegacioni i BE-së.
Ambasada e Gjermanisë e konsideron shqetësues faktin që vetë nëpunësit mediatik janë kritik ndaj kandidatëve të cilët duhet të jenë në gjendje të marrin vendime në mënyrë të pavarur.
“Kur punonjësit e medias shprehin kritika të ashpra për procedurën e emërimit në Këshillin e ASHMAA, atëherë ky duhet të jetë shkak për shqetësim. Sepse për të përmbushur rolin e tij, nuk duhet të ketë dyshim se Këshilli ka kompetencat e duhura profesionale dhe mund të marrë vendime në mënyrë të pavarur. Është përgjegjësi e Kuvendit ta sigurojë këtë. Partitë politike në vend me të drejtë theksojnë rëndësinë e emërimeve në bazë të kompetencave. Një angazhim i tillë është i besueshëm kur është një parim udhëzues i vazhdueshëm në të gjitha procedurat e emërimeve”, thonë nga Ambasada e Gjermanisë.
Në seancën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime filtrin e komisionit e kaluan Viktor Pavlovski, Sasho Stefanovski, Petar Gjurovski, Afrona Vërzivoli, Nafije Selmani, Cvetanka Minovska, Gordana Majnova.
Shtatë kandidatët janë montazherë, kamermanë, producentë, ekonomonistë dhe një gazetare por ata u zgjodhën para disa kandidatëve të tjerë, me biografi më të bujshme në fushën e mediave. Ata u zgjodhën me propozim të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it, LSDM-së dhe ZNAM-it dhe secili prej tyre mori numër të njëjtë votash. Fronti e lëshoi sallën pas akuzave për politizim të këtij institucioni.
Emrat më të përfolur ishin Nafije Selmani, e cila ishte këshilltare e Alternativës në komunën e Çairit, kandidate për kryetare të Shkupit nga Lëvizja Besa dhe kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare nën logon e koalicionit VLEN. E diskutueshme është edhe përzgjedhja e Afrona Verzivolit, e cila u emërua dhe më pas u shkarkua nga qeveria aktuale si kryerevizore e fondeve IPA për shkak të mospasjes së certifikatës së punës. Komisioni Antikorrupsion ka hapur lëndë për të vlerësuar mënyrën e përzgjedhjes së tyre. Emrat e përzgjedhur duhet të votohen edhe në seancë plenare me shumicë prej dy të tretave dhe Badenter. /Alsat.mk