MPJ e Kosovës: Dhuna nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës së krijuar
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një komunikate për media të enjten ka bërë të ditur se po e përcjell me shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni dhe sulmin e raportuar ndaj deputetëve dhe gazetarëve.
MPJ e Kosovës konsideron se sjelljet e këtilla të dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni janë të papranueshme dhe aspak nuk i shërbejnë demokracisë, paqes dhe stabilitetit në shtetin fqinj të Maqedonisë.
“Në frymën e apelit të vendeve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, ne besojmë se të gjithë aktorët politikë do të tregojnë vullnet për të dialoguar për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike.
Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, në profilin e tij në Tuiter, e ka dënuar dhunën ndaj deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.
“I dënoj fuqishëm sulmet ndaj anëtarëve të parlamentit. Dhuna nuk e ka venin në Kuvend. Demokracia patjetër duhet të vazhdojë në rrugën e saj”, shkruajti Han.
Lidhur me situatën në Maqedoni ka reaguar edhe ministri i jashtëm sllovak, Miroslav lajcak, përmes një statusi në profilin e tij në Tuiter.
“Njerëz të maskuar vërshuan Parlamentin e Maqedonisë. Demokracia është e barabartë me respektimin e votës së shumicës dhe dialogut. Meqë ra fjala, kush është përgjegjës për mbrojen Kuvendit”, ka shkruar Lajçak.
Masked men storm #Macedonia‘s Parliament? Democracy=respect vote of majority & use dialogue. Btw. who’s responsible 4 protecting Parliament?
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 27, 2017