Në fillim të gushtit, ligjvënës nga të paktën gjashtë vende në Evropë dhe Amerikën e Jugut u vunë nën presion të paprecedent diplomatik nga qeveria kineze për të anuluar udhëtimin në Tajvan për Samitin e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC), i cili është një forum joformal ndërkombëtar. IPAC është organizatë që bashkon 250 deputet nga 35 shtete, të cilët janë të shqetësuar për qëndrimin e butë të demokracive perëndimore ndaj regjimit autoritar në Kinë. Duke cituar deklaratat e deputetëve nga Bolivia, Kolumbia, Sllovakia, Bosna Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, është evidentuar se deputetët morën mesazhe, thirrje dhe kërkesa urgjente për takime në të cilat diplomatët kinez u përpoqën t’i bindnin ata të mos udhëtonin në Samitin e Taipeit.
Përfaqësuesit e IPAC ankohen se vazhdimisht përballen me presion nga qeveria kineze, madje disa anëtarë edhe janë sanksionuar. Në vitin 2021, organizata ishte edhe objektivi i një sulmi haker të sponsorizuar nga autoritetet kineze. Drejtori i IPAC, Luke de Pulford tha se sulmet e qeverisë kineze ishin të paprecedentë sepse diplomatët kinezë iu afruan ligjvënësve pasi konfirmuan pjesëmarrjen.
Deputeti Antonio Milloshoski ka konfirmuar për mediat maqedonase se ka marrë mesazhe nga diplomatë të ambasadës kineze në Shkup, të cilët i kanë kërkuar detaje rreth udhëtimit në Taipei. “Ka pasur urgjenca, madje edhe agresive, për të anuluar pjesëmarrjen në këtë konferencë ndërkombëtare”, thotë Milloshoski, duke shtuar se ai dhe deputeti Fatmir Bytyçi vendosën t’i shpërfillin presionet sepse agjendën e tyre si deputetë të zgjedhur e vendosin ata, e jo ambasadat e huaja.
Një deputete boshnjake iu ekspozua gjithashtu një presioni të ngjashëm, duke u ankuar se diplomatët kinezë i ushtronin presion liderit së partisë së saj, me një kërkesë për ta penguar atë të udhëtonte në Tajvan. “Më tregoi mesazhin e tyre. Ai tha: “Do t’ju këshilloj të mos shkoni, por nuk mund t’ju ndaloj, është diçka që duhet ta vendosni vetë”, tha Sanela Klaric, deputete e parlamentit të Bosnjës.
Padyshim, ky skandal diplomatik paraqet ndërhyrje të rëndë të qeverisë kineze në punët e brendshme të vendeve të tjera sovrane. Një sjellje e tillë jodiplomatike dhe e dhunshme e diplomatëve kinezë tregon fytyrën dhe synimet e vërteta të regjimit autoritar në Pekin. Kanë rënë maskat se Kina ndjek një politikë ndërkombëtare paqësore në përputhje me Kartën e OKB-së, bazuar në respektin reciprok të popujve dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve.
Në ujë ra edhe propaganda kineze e pranishme në një pjesë të mediave maqedonase, narrativa kryesore e të cilave është se Kina është një partner i besueshëm që nuk ndërhyn në punët tona të brendshme. Ajo gjoja respekton kombet e tjera dhe nuk kërkon asgjë prej tyre, por ofron vetëm bashkëpunim ekonomik, nga i cili përfitojnë të gjithë.
Skandali i fundit tregon të kundërtën, se regjimi komunist në Pekin ka synime agresive ndaj kombeve të tjera. Është e qartë se regjimi komunist përdor bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe kredinë si kurth për të kontrolluar qeveritë e vendeve të tjera, të cilat duhet t’u shërbejnë verbërisht interesave agresive të qeverisë kineze. Në rast se nuk i binden vullnetit të Pekinit, atëherë aktivizohen presione dhe kërcënime të drejtpërdrejta, si dhe shantazhe me karakter ekonomik, siç ishte shembulli me qëllimin për të falimentuar qeverinë malazeze.
Është i qartë edhe ndikimi keqdashës i Kinës në Ballkan, përmes financimit të projekteve infrastrukturore, siç është ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila nuk është ndërtuar as pas dhjetë vitesh. Gjithashtu, politika agresive kineze shihet në raport edhe me agresionin rus në Ukrainë. Megjithëse zyrtarisht promovon neutralitet në konflikt, në thelb Kina bën gjithçka që mundet për të mbajtur në formë makinerinë luftarake të Putinit.