Naser Selmani
Në raportin e fundit të progresit, Bashkimi Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në reformat në gjyqësi dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Megjithatë, kryeministri Mickoski i cilësoi këto vlerësime si “politike”,
duke pretenduar se lidhen me refuzimin e qeverisë për të bërë ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Ai nuk paraqiti asnjë fakt që do të kontestonte vlerësimet e Brukselit.
Përveç kësaj, Mickoski bëri një krahasim të panevojshëm dhe keqdashës me Shqipërinë, duke pretenduar se Maqedonia e Veriut është “shumë përpara” saj në rrugën e integrimit. Qëllimi i këtij krahasimi ishte të zhvendoste vëmendjen nga dështimet e qeverisë maqedonase në procesin e eurointegrimit.
Qeveria e Shqipërisë veproi drejt kur injoroi këtë provokim të ulët. Përgjigja më e mirë erdhi nga vetë Bashkimi Evropian: hapja e të gjithë kapitujve të negociatave me Shqipërinë. Shqipëria sot është realisht më përpara se Maqedonia e Veriut në rrugën
e anëtarësimit në BE. Ja pse:
E para, Shqipëria nuk ka konteste me fqinjët. Edhe kur Greqia ka ngritur çështje të ndjeshme, si ajo e detit, varrezat e ushtarëve grekë apo çështja e ish–kryebashkiakut të Himarës, Shqipëria ka treguar vullnet të mirë, durim dhe qasje konstruktive për t’i zgjidhur. Ajo nuk i ka përdorur kurrë këto tema si alibi për të
ngadalësuar procesin e integrimit.
Si rezultat, Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt me BE-në, me synimin për t’i mbyllur deri në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar në vitin 2030. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka penguar vetveten duke refuzuar përmbushjen e detyrimeve që dalin nga korniza negociuese, të cilën vetë e ka pranuar.
E dyta, Shqipëria është aleat i besueshëm i Perëndimit. Shqipëria njihet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe është treguar rezistente ndaj ndikimeve malinje ruse, kineze apo aleancës ruso–serbe.
E kundërta ndodh në Maqedoninë e Veriut. Në raportin e progresit të vitit të kaluar, vendi u paralajmërua për ndikimin në rritje të “botës serbe”, duke iu referuar hapur veprimeve të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, një eksponent i njohur prorus.
E treta, Shqipëria nuk është akuzuar kurrë për qeverisje autoritare pas komunizmit. Që nga rrënia e regjimit komunist, Shqipëria, madje as në krizën e vitit 1997, nuk është akuzuar nga partnerët perëndimorë për rikthim në metodat autoritare.
Ndërsa në vitin 2015, misioni verifikues i BE-së konstatoi se Maqedonia e Veriut funksionon si shtet i kapur, dhe që nga ajo kohë është bërë shumë pak për shembjen e këtij sistemi.
Dhe e katërta, Shqipëria ka ndërtuar institucione të forta antikorrupsion. Në vitin 2019, Shqipëria themeloi SPAK, strukturë të posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe dy vite më vonë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Falë punës së tyre, në Shqipëri janë arrestuar ose hetuar ish–presidentë,
ish–kryeministra, ministra, zëvendëskryeministra dhe kryebashkiakë.
Në Maqedoninë e Veriut, këtë rol duhej ta kryente Prokuroria Speciale, e krijuar me mbështetje të Perëndimit. Por në vend të forcimit të saj, qeveritë e njëpasnjëshme e shkatërruan atë, amnistuan qindra ish–zyrtarë dhe madje fshinë nenin 353-5 nga
Kodi Penal, që sanksiononte keqpërdorimet e funksionarëve përmes tenderëve.
Faktet tregojnë qartë se Shqipëria jo vetëm që është përpara Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian, por progresi i saj është rezultat i punës së përkushtuar, stabilitetit politik dhe guximit institucional për të luftuar korrupsionin.
Në Maqedoninë e Veriut, përkundrazi, ngecja është pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe e shmangies së përgjegjësisë për reformat e domosdoshme.


