Naser Selmani
Ky është deputeti i Besës, Adnan Azizi, i cili në tubimin e Vlenit në Tetovë hodhi akuza të rënda kundër opozitës shqiptare, duke pretenduar se, bashkë me tifozët e Vojvodëve, ata kanë rrahur nxënësit shqiptarë.
Në një vend normal, ku funksionarët mbajnë përgjegjësi për fjalën publike, pritej që deputeti Azizi të denonconte në polici të dyshuarit e opozitës shqiptare, të cilët sipas tij, kanë frymëzuar dhe organizuar tifozët e Vojvodës për të sulmuar nxënësit e pafajshëm shqiptarë, për të nxirrë imazhin e Vlenit në qeveri.
Nëse këto akuza do të ishin të bazuara, ato do të ndihmonin shumë në zbardhjen e rastit nga organet e hetuesisë, duke nxjerrë para drejtësisë fajtorët dhe duke parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Megjithatë, deri sot, Azizi nuk ka njoftuar për ndonjë denoncim para organeve të hetuesisë kundër opozitës shqiptare, as që organet e hetuesisë e kanë ftuar atë për bisedë, duke marrë parasysh seriozitetin e akuzave.
Atëherë, çfarë e shtyn deputetin Azizi të hedhë akuza të tilla kundër opozitës, ndërsa si deputet i partive në pushtet nuk përdor veglat institucionale për të vërtetuar këto pretendime?
E para, Azizi ndodhet në një situatë të sikletshme, pasi publikisht kryeministri Mickovski e poshtëroi duke i thënë se është shumë i vogël për t’u marrë me gjëra të mëdha në politikën e vendit. Ai beson se këtë nënçmim të Mickovskit mund ta mbulojë duke bërë shpifje të ulta kundër opozitës.
Azizi nuk shpif vetëm kundër opozitës, por ai gjithashtu fyen intelegjencën e shqiptarëve, sepse beson se ata do të pranojnë marrëzira të këtilla.
Njerëzit e dinë mirë se, sikur Vlen të kishte fakte për akuzat e pretenduara, do të arrestonte menjëherë të dyshuarit e opozitës. Nëse pushteti nuk ka bërë këtë deri tani, atëherë kjo flet se
deklaratat e Azizit janë thjesht broçkulla, me të cilat nuk mund të mashtrohen shqiptarët.
Fatkeqësisht, ky rast tregon se Vlen po përvetëson metodat agresive të VMRO-së për të luftuar opozitën. VMRO vazhdimisht satanizon LSDM-në, duke i quajtur ata kriminelë dhe tradhtarë të vendit, për të fshehur dobësitë e qeverisjes.
Ky fjalor i ashpër politik ka për qëllim të shkaktojë përçarje politike dhe të minojë debatin e argumentuar para zgjedhjeve vendore, si dhe të përshkallzojë ambientin politik për të frikësuar dhe linçuar opozitën.
Edhe më e dhimbshme është se sjellja e papërgjegjshme e Azizit flet për politizimin e rastit të rrahjes së nxënësve shqiptarë, duke i lejuar autorët e vërtetë të dhunës të shmangen nga përgjegjësia.
Duket se Vlen nuk mund të këmbëngulë për dënimin e fajtorëve nga frika se do të revoltojë Mickovskin, për të cilin është e papranueshme të penalizohen Vojvodët para zgjedhjeve.