Nëse Gruevski dhe Ahmeti imponojnë thellim të krizës me qëllim shkuarjen sërish në zgjedhje të parakohshme, sipas gazetarit Nasel Selmani që të dyja partitë si VMRO DPMNE ashtu edhe BDI do të humbin edhe më shumë deputetë sesa që humbën në zgjedhjet e dhjetorit.
“Nëse shkojnë në zgjedhje do të humbin. Tani kanë deputetë, por nëse ia lejojnë luksin që të shkohet në zgjedhje të reja VMRO DPMNE-së e cila e ka problem t’i pranojë kërkesat elementare të shqiptarëve, e konfirmoj, do të bisedojmë edhe pas zgjedhjeve, se BDI-ja do të shuhet. Nëse kanë ardhur deri në atë shkallë që ta shuajnë partinë vetëm për ta shpëtuar VMRO DPMNE-në nga kjo situatë, le ta bëjnë atë, por përgjegjësia është e madhe”, tha Selmani.
Ai ia tërhoqi vërejtjen kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, të mos harrojë se në politikë u fut si komandanti i madh i shqiptarëve, dhe se tani e ka shansin e fundit që ta ndihmojë Maqedoninë që t’u ngjajë vendeve të lira evropiane.
“Të mos harrojë Ali Ahmeti se në politikë erdhi si komandanti i madh i shqiptarëve. Kolegët i kam dëshmitarë se unë asnjëherë, as në vitin 2001, nuk kam besuar se ai është komandant i shqiptarëve, por ai u imponua, shqiptarët e pranuan dhe kjo është kjo. Nëse edhe kësaj radhe nuk e shfrytëzon situatën që të ngjajmë në një vend të lirë evropian, përdorimi i gjuhës shqipe as që duhet të diskutohet, ky duhet të jetë standard evropian i cili vlenë në gjithë Evropën. Nëse ne duam të flasim për Evropën, ndërsa të shkojmë në Rusi, kjo është diçka tjetër”, deklaroi Selmani.
Sipas tij, për gjendjen aktuale të shqiptarëve fajin më të madh e kanë partitë shqiptare pasiqë kanë vepruar me hipokrizi. Selmani tha se partitë maqedonase sillen në këtë mënyrë me shqiptarët për shkak se partitë shqiptare ua kanë lejuar këtë komoditet. /SHENJA/