Naser Selmani
KUSH E PENGON INTEGRIMIN E MAQEDONISË SË VERIUT NË BASHKIMIN EVROPJANË?
Kreu shtetëror maqedonas ka nisur një ofensivë të pakuptimtë verbale kundër BE-së pas publikimit të Raportit të Progresit, në të cilin Brukseli konstaton se vendi nuk ka shënuar përparim në reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Të pafuqishëm për t’i kundërshtuar me fakte vlerësimet objektive të BE-së, kryeministri Mickoski dhe presidentja Siljanovska reaguan me deklarata emocionale, duke tentuar t’ia mveshin Bashkimit Evropian përgjegjësinë për ngecjen e procesit të integrimit.
Mickoski deklaroi se raporti do të ishte shumë pozitiv “nëse nuk do të ekzistonte kombi maqedonas”, një tezë absurde që pretendon se BE-ja mohon identitetin kombëtar. Ky është një pretendim i pavërtetuar, tendencioz dhe i dëmshëm për interesat afatgjata të vendit.
Presidentja Siljanovska, nga ana e saj, paraqiti qëndrime kontradiktore. Ajo kërkoi që vendi të vlerësohet vetëm mbi bazën e përmbushjes së standardeve evropiane dhe jo të kushtëzohet me çështje politike, si përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. Por më pas u bë pishman dhe deklaroi se “tani nuk është koha për reforma”, duke aluduar në rrezikun e përhapjes së luftës në Ukrainë në Evropë, një qëndrim që bie ndesh me nevojën për progres të brendshëm.
Ndërkohë, raporti i BE-së pikërisht këtë bën: fokusohet tek mospërmbushja e standardeve evropiane. Pjesa dërrmuese e kritikave lidhen me mungesën e përparimit në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe moszbatimin e
rekomandimeve nga raporti paraprak.
Nëse rezerva e vetme e qeverisë mbetet çështja e ndryshimeve kushtetuese, atëherë nuk ka asnjë justifikim për mungesën e rezultateve në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër krimit.
Qeveria duhet t’u përmbahet rekomandimeve të BE-së për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke rritur burimet njerëzore dhe financiare, e jo duke humbur kohë në debate të kota për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor apo të kryeprokurorit Kocevski.
Nëse do kishte vullnet politik, një vit e gjysmë është kohë e mjaftueshme për të rikthyer nenin 353 të Kodit Penal, i cili sanksionon keqpërdorimet e funksionarëve në menaxhimin e tenderëve.
Po ashtu, nëse Ligji për buxhetin e gjyqësorit parashikon që 0.8% e BPV-së të ndahet për sistemin e drejtësisë, atëherë kryeministri nuk mund të vendosë me dëshirë shumën e mjeteve për gjyqësorin. Nëse ligji nuk i pëlqen, ekziston procedurë për ndryshimin e tij, por derisa është në fuqi, duhet respektuar. Kështu funksionon në vendet ku respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe sundimi i ligjit.
Është e qartë se kryeministrit dhe presidentes më shumë u pengojnë reformat në gjyqësi sesa ndryshimet kushtetuese, sepse reformat e vërteta do ta çlironin gjyqësorin nga ndikimi politik i qeverisë. Reforma nuk bëhen duke shkarkuar prokurorë e gjyqtarë, por duke siguruar burime të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për gjykatat dhe prokuroritë.


