Kevin De Brujne është shumë pranë zyrtarizimit si lojtari më i ri i Napolit. Sipas “Football Italia”, mesfushori belg do të udhëtojë drejt Italisë këtë javë për të përfunduar vizitat mjekësore dhe formalitetet e fundit që do ta lidhin me klubin kampion të Serie A. Dita e planifikuar për testet mjekësore të De Brujne është e enjtja, megjithëse ekziston mundësia për një shtyrje të vogël. Pavarësisht kësaj, ai pritet të përmbyllë të gjitha procedurat brenda kësaj jave dhe të firmosë kontratën me klubin e ri. ‘
Të gjitha dokumentet kontraktuale tashmë janë nënshkruar, dhe lojtari pritet të vishet zyrtarisht me fanellën e Napolit, në stadiumin “Diego Armando Maradona”. De Brujne, i cili shënoi në minutën e 88-të në fitoren 4-3 të Belgjikës ndaj Uellsit në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026, do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me opsion zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
Ai i bashkohet skuadrës së trajnerit Antonio Konte, e cila sapo ka fituar “Scudeton”, dhe do të jetë përforcimi i parë i rëndësishëm i Napolit për këtë merkato vere. Bashkëshortja e lojtarit ka vizituar tashmë qytetin e Napolit, ku ka nisur kërkimet për një banesë dhe shkolla të mundshme për tre fëmijët e çiftit. Kjo tregon se familja është e përgatitur për të filluar një kapitull të ri në Itali. Përveç De Brujne, Napoli është pranë finalizimit edhe të marrëveshjes për Luka Marianuçit, mbrojtës 20-vjeçar nga Empoli, i cili mund të jetë afrimi i dytë i verës.