27 Shkurt
Thirrjet e Nikolla Gruevskit për mobilizim në mbrojtje të Maqedonisë, aktivistja, Mirjana Najçevska i quan trillime dhe përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen e popullatës nga problemet reale me krimin dhe shpërdorimet e shumta që janë bërë gjatë qeverisjes së tij e që kanë rezultuar me hetime të shumta nga Prokuroria Speciale. Malevska thotë se populli kërkon qeveri të përgjegjshme dhe të ndershme dhe jo vazhdim të krizës.
Gruevski e ka patjetër të veprojë me kësi lloj deklaratash që të mund t’i ngjallë emocionet e qytetarëve dhe ato të defokusohen nga kërkesat themelore dhe të fokusohen në mbrojtjen e diçkaje që as nuk është sulmuar, diçka që as nuk është rrezikuar, pra krijohet simulim i rrezikut, që të bëhet zgjim emocional, mobilizim emocional i njerëzve dhe të harrojnë për gjithë atë që është bërë në 10 vitet e kaluara – deklaroi Mirjana Najçevska, aktiviste e të drejtave të njeriut.
Gjithsesi, sipas Najçevskës, nuk ka vend për panik, pasi qytetarët janë mjaftueshëm të vetëdijshëm se qeveria është në duar të tyre, ata janë bërë imun ndaj gjuhës së urrejtjes së politikanëve dhe nuk do të bien pre e qëllimeve të Gruevskit.
Mendoj se për momentin ka kapacitet të mjaftueshëm qytetar në Republikën e Maqedonisë që një lloj i tillë i qasjes të mos paraqes rrezik aq të madh, siç do të mund të paraqiste para 2, 3 apo 4 viteve – tha Mirjana Najçevska, aktiviste e të drejtave të njeriut.
Përveç kërcënimeve me nxjerrjen e popullit në rrugë, Gruevski në paraqitjen e mbrëmshme ia premtoi LSDM-së edhe deputetët e saj vetëm që kjo e fundit të mos miratojë ligjin për gjuhën shqipe. Madje Gruevski tha se pranon arrestimin dhe dajakun nga Zaevin në rast se heq dorë nga gjuha shqipe dhe platforma shqiptare. E gjithë kjo sipas Najçevskës është juridikisht e palogjikshme, pasi partitë nuk janë institucione ligjvënëse, ndërsa çështjet e tilla do të duhet të diskutohen në Kuvend.