Pas takimit me përfaqësuesit e Ambasadës së Francës në Shkup, aktivistja qytetare Nafie Selmani shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë e bashkëbisedimit të hapur mbi zhvillimet në vend. Takimi u zhvillua me këshilltarin e parë të ambasadës, z. Philippe Marcheteau, i shoqëruar nga z. Ardian Ramadani nga stafi i ambasadës.
Në vijim deklarata e plotë e Selmanit:
Jam mirënjohëse dhe e nderuar, nga shprehja e interesimit për takim nga ana e përfaqësuesve të Ambasadës së Francës në Shkup, gjegjësisht nga këshilltari i parë (figura nr. 2 e ambasadës), z. Philippe Marcheteau, i shoqëruar nga z. Ardian Ramadani (pjesë e stafit), me të cilët kisha bashkëbisedim të hapur për zhvillime të ndryshme në vendin tonë, me fokus procesin eurointegrues, kohezionin politik dhe qytetar midis komuniteteve dhe rolin e gjuhës shqipe në vendin tonë.
E falënderova z. Marcheteau për interesimin e tij që të dëgjojë zërin qytetar, e jo vetëm të politikanëve. Duke ruajtur korrektësinë dhe neutralitetin fola edhe për përvojën time personale të diskriminimit, ndërkaq theksova falënderimin për gatishmërinë e Francës për të na ndihmuar në rrugëtimin tonë drejt BE-së.


