Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në RMV, u shoqërua me plot takime institucionale, protokollare e simbolike. Por ndër to, një takim ishte më me domethënie.
Ishte takimi me studentët shqiptarë, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori Denion Meidani, të cilët po zhvillojnë betejën e tyre për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe, i cili pa dyshim ishte më i rëndësishmi, si për nga simbolika ashtu edhe për nga përmbajtja. Në fakt, ai nuk ishte thjesht një bashkëbisedim formal me Bajram Begaj, ishte moment dëgjimi institucional presidencial ndaj një padrejtësie që po zgjat.
Megjithatë, ajo që habit është se ky takim me peshë kombëtare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat arsimore e profesionale të studentëve shqiptarë, pothuajse u kalua në heshtje. Disa media/televizione shqiptare nuk e panë të arsyeshme ta informojnë publikun për këtë takim.
Pse? Nga kush u ndikuan? Dhe mbi çfarë kriteresh u vendos që kjo ngjarje të mos marrë hapësirën që meriton?
Sidoqoftë, studentët u takuan me Presidentin. Folën. Parashtruan shqetësimet e tyre. Dhe këtë nuk mund ta ndalonte asnjë filtër redaksional, asnjë kalkulim politik, asnjë “vulë ndalese” mediatike.
Nejse, e vërteta nuk ka nevojë për leje transmetimi ajo ekziston, edhe kur dikush vendos të mos e transmetojë.
Nafie Selmani


