Aktivistja Nafie Selmani ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si fushatë të vazhdueshme dhe të organizuar të VLEN-it kundër Arben Taravarit, duke theksuar se ky obsesion politik po shërben për të mbuluar mungesën e rezultateve konkrete në qeverisje.
Sipas Selmanit, VLEN-i erdhi në pushtet me premtime të mëdha për qeverisje ndryshe, standarde më të larta dhe luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, por pas gati dy vitesh në pushtet, këto premtime kanë mbetur vetëm retorikë fushate.
“Ata, në vend që energjinë ta përqendrojnë te reformat, sundimi i ligjit dhe përgjegjësia institucionale, duket se kanë vetëm një luftë reale – luftën kundër Arben Taravarit”, thekson Selmani.
Ajo vlerëson se për rreth dhjetë muaj është ndërtuar një narrativë propagandistike rreth një akuze për një parking, e cila, sipas saj, është shndërruar me tendencë hakmarrëse në një skandal artificial. Në këtë narrativë, sipas Selmanit, ka rënë për fat të keq edhe Ziadin Sela.
Selmani nënvizon se VLEN-i sot mban pushtetin ekzekutiv dhe institucional dhe se, nëse ekzistojnë prova, ato duhet të dorëzohen në organet kompetente. “Kur kjo nuk ndodh, akuzat mbeten shpifje publike, të përdorura si instrument diskreditimi për hakmarrje personale”, shprehet ajo.
Sipas aktivistes, obsesioni ndaj Taravarit po shkon edhe më tej, duke u përdorur si alibi për kaosin e brendshëm dhe mungesën e funksionimit si një subjekt i unifikuar. Ajo e cilëson absurd pretendimin se Taravari është “pengesë” për konsolidimin e VLEN-it, kur dihet se ai ka dalë nga ky koalicion gati një vit më parë.
Në fund, Nafie Selmani thekson se problemi i vërtetë i VLEN-it nuk është Arben Taravari, por paaftësia për të treguar se çfarë po bën me pushtetin që ka në dorë dhe nëse e meriton atë. “Kur pushteti nuk prodhon rezultate, ai detyrohet të prodhojë armiq, dhe kjo është shenja më e qartë e një dështimi të madh politik”, përfundon Selmani.


