“Të kandidosh për Qytetin e Shkupit më shumë është dëshmi e ekzistencës, e pranisë dhe e synimit, sesa çështje e kalkulimeve politike. Me këtë kandidaturë ne dëshmojmë se ekzistojmë këtu, se jemi të pranishëm edhe në skenën politike dhe se synojmë që Qyteti jonë të përfaqësohet edhe nga ne”, thotë kandidatja e Lëvizjes Besa për kryetare të qytetit të Shkupit, Nafie Selmani. Ajo nuk pajtohet me pohimet se gara në Shkup është e parëndësishme për shqiptarët.
“Dhe kjo kandidaturë vjen në kohën kur partitë qeverisëse deklarativisht në vazhdimësi po e proklamojnë një koncept qytetar, por që lë përshtypjen që është më shumë koncept që fton shqiptarët te votojnë partitë maqedonase, dhe kandidatët maqedonas, po jo dhe anasjelltas. Nëse janë të sinqertë me atë koncept, ja tani kandidatura ime është mundësi e mirë që këtë ta dëshmojnë edhe me përkrahje reale me votë”, thekson Selmani
Lajm: Sfidë e re, çka ishte vendimtare që ndikoi të pranoni këtë ofertë?
Selmani: Së pari dëshiroj që publikisht ta falënderoj Lëvizjen Besa për ofertën që të jem kandidate për Kryetare të Qytetit të Shkupit pa qenë pjesë e asnjë organi partiak të kësaj partie. Dhe, ishte pikërisht ky momenti i parë që më sfidoi, por më duhet të them edhe më nderoi. Ishte një gërshetim momentesh, idesh, konceptesh – ndodhesh përballë një oferte mjaft sfiduese, ku duhet thënë vetëm një Po ose një JO. Por, vendimtare për të thënë PO, e them me përgjegjësinë më të madhe, ishte guximi i Lëvizjes Besa për të nominuar një grua për Qytetin e Shkupit dhe unë nuk guxova që të lejoj ta thyej këtë guxim të tyre dhe të them JO. Por, edhe më vendimtare se kjo është që ne gratë shpeshherë vet po ua lëmë të lirë fushën e terrenit politik burrave, gjë që ka kontribuar që partitë politike më shumë të ngjasojnë në ekipe futbolli për meshkuj se në organizata politike, ku duhen të kenë mundësi, nuk po them të drejta por po e theksoj mundësi të barabarta, për veprim politik të gjithë pjesëmarrësit. Personalisht jam shumë e lumtur që në këtë garë zgjedhore për të parin e Shkupit janë dy gra, ndërsa jam krenare që jam gruaja e parë shqiptare kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit në historinë e tij. Pavarësisht rezultatit, mendoj se ky është një hap i rëndësishëm për shqiptarët e Shkupit, për femrën shqiptare të Shkupit dhe për praninë e shqiptarëve në Shkup.
Lajm: Thuhet se gara e kandidatëve shqiptarë në Shkup është e parëndësishme sepse nuk ka gjasa të fitojnë. Si e komentoni ju këtë?
Selmani: Jo, nuk pajtohem, përkundrazi është e rëndësisë së madhe. Nëse i lëmë anash kalkulimet matematikore dhe statistikore, mos heqja dorë nga kandidimi për Qytetin e Shkupit përcjell porosi të madhe politike se shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbesin këtu, i pëlqeu apo jo kjo dikujt. Të kandidosh për Qytetin e Shkupit më shumë është dëshmi e ekzistencës, e pranisë dhe e synimit, sesa çështje e kalkulimeve politike. Me këtë kandidaturë ne dëshmojmë se ekzistojmë këtu, se jemi të pranishëm edhe në skenën politike dhe se synojmë që Qyteti jonë të përfaqësohet edhe nga ne.
Dhe kjo kandidaturë vjen në kohën kur partitë qeverisëse deklarativisht në vazhdimësi po e proklamojnë një koncept qytetar, por që lë përshtypjen që është më shumë koncept që fton shqiptarët te votojnë partitë maqedonase, dhe kandidatët maqedonas, po jo dhe anasjelltas. Nëse janë të sinqertë me atë koncept, ja tani kandidatura ime është mundësi e mirë që këtë ta dëshmojnë edhe me përkrahje reale me votë.
Lajm: Sa është e vështirë ose e lehtë të garojë për kryetare në kryeqytet?
Selmani: Duke qenë se është hera e parë që po garoj, gjithsesi se është pak e vështirë dhe e lodhshme. Por, duhet ta pranoj se e tërë kjo ka edhe anët pozitive, është një përvojë e re. Kjo periudhë ka një dinamikë krejt te re për mua, njihesh me njerëz të ndryshëm dhe, mbi të gjitha, është një mundësi e mirë që për së afërmi t’i shohësh shqetësimet e qytetarëve, shqetësime që sigurisht janë edhe të mijat, kërkesat dhe problemet me të cilat ballafaqohen ato. Nga këto takime po pranoj sygjerime mjaft interesante dhe po mësoj gjëra të reja nga qytetarët e Shkupit, andaj nëse e fitoj besimin e qytetarëve, gjithsesi në përpikëri një pjesë e tyre do të bëhen pjesë e punës time, për të cilat do të angazhohem fuqishëm që t’i zbatoj në terren.
Lajm: Çka u ofron Lëvizja Besa shqiptarëve të Shkupit që të meritoni përkrahjen e tyre?
Selmani: Lëvizja BESA me vet faktin që u ofroi shqiptarëve të Shkupit kandidat për Qytetin e Shkupit, u ofroi një zgjedhje më shumë, e pasuroi këtë garë me konkurrencë dhe nuk hoqi dorë nga Shkupi. Ndërkaq, nëse shqiptarët e përkrahin kandidaturën time dhe programin zgjedhor të Lëvizjes Besa, Shkupi kurrë më nuk do të mund të ndahet si deri më tani në anën e majtë dhe të djathtë, ku zhvillimi infrastukturor në njërën anë është dukshëm i dallueshëm me anën tjetër. Shkupin unë e shoh si një tërësi të pandarë territoriale dhe ashtu edhe do ta trajtoj, por gjithsesi projektet do t’i orientoj aty ku ka më së shumti nevojë, në bazë të prioriteteve, e që për fat të keq janë vendbanimet shqiptare.
Për Lëvizjen BESA Shkupi duhet të qeveriste nga shqiptarët, madje nga një femër shqiptare. Ky, sipas meje, mendoj se është mesazh i mjaftueshëm.