Për shkak të kushteve minimale për tregtim që ekzistonin në tregun e gjelbër të vjetër, i cili ndodhet pranë Qendrës Tregtare “MDH”, Myftinia e Dibrës, në një parcelë të saj, pas ndërtimit të Bulevardit “Iliria”, aty ku dikur ishin vreshtat e vjetra, me qëllim që t’u mundësojë banorëve kushte më të mira për tregtim, ndërtoi para disa vitesh tregun e gjelbër në pjesën e re të qytetit. Ky është një lokacion që, sipas sipërfaqes, plotëson nevojat e një tregu modern. Megjithatë, që nga ndërtimi e deri më sot, Myftinia ka tentuar që tregun t’ia japë me qira Ndërmarrjes komunale të qytetit, pasi vetë nuk ka mundësi të menaxhojë me të. Bisedimet rreth menaxhimit janë ende në zhvillim, ndërkohë që dibranët e shfrytëzojnë këtë treg çdo të shtunë, kur në Dibër zhvillohet pazari i zakonshëm me pjesëmarrje masive.
Në këtë treg ka edhe tregtarë, sidomos nga qytetet e tjera, të cilët shesin prodhime bujqësore dhe pajisje të ndryshme, por për të mos paguar taksën, i ekspozojnë mallrat para hyrjes së tregut. Kjo gjë krijon një ambient të padëshirueshëm për dibranët dhe për blerësit që vijnë nga zonat rurale të Shqipërisë.
Në një bisedë që patëm me Myftininë e Dibrës, në lidhje me tregun që aktualisht përdoret nga qytetarët, na u informua se deri tani janë realizuar shumë takime me udhëheqësinë e komunës dhe me ndërmarrjen komunale. Myftiu i Dibrës, Reshat Kaçallniku, për gazetën Koha deklaroi se duhet të gjendet një mënyrë ligjore dhe efikase për menaxhimin e tregut.
“Ne si Myftini ofrojmë një zgjidhje që tregun e gjelbër ta menaxhojë ndërmarrja komunale ‘Standardi’, e cila është themeluar nga Komuna e Dibrës. Ky ka qenë dhe mbetet propozimi ynë. Nga ana tjetër, tregun e ofrojmë me qira shumë modeste. Ne nuk kemi të drejtë ligjore të themelojmë një ndërmarrje për menaxhimin e tregut, dhe këtë duhet ta bëjë ndërmarrja komunale e Dibrës, ashtu siç e përcakton ligji dhe siç ka qenë më parë. Ky treg u ndërtua në interes të qytetarëve dibranë”, tha Myftiu Kaçallniku.
Ai shtoi se bisedimet për menaxhimin e tregut vazhdojnë dhe se është optimist se me një qira të ulët dhe modeste do të gjendet një zgjidhje. Për situatën e tregut është diskutuar edhe në seancën e Këshillit të Komunës, ku disa nga këshilltarët kërkuan që tregu i gjelbër të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për shitje. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, për gazetën Koha tha se po zhvillohen bisedime për menaxhimin e tregut.
“Tregu i gjelbër duhet të ketë të gjitha karakteristikat për plasmanin adekuat të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Jemi në bisedime me Myftininë, e cila na informoi se është e gatshme ta japë me qira. Besoj se bisedimet do të japin rezultate, sepse duhet të gjendet një zgjidhje ligjore, pasi për momentin tregu i vetëm legal mbetet ai i vjetri”, tha Duka.
Ndërkohë, përderisa vazhdojnë bisedimet për menaxhimin, çdo të shtunë, kur mbahet pazari, shumë tregtarë vendosin mallrat e tyre jashtë hyrjes së tregut për të shmangur pagesën e taksave. Kjo zonë nuk është e asfaltuar dhe gjatë reshjeve të shiut shndërrohet në kaos, sidomos për çështjen e pastërtisë. Bisedimet për një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e tregut vazhdojnë dhe përshëndeten nga qytetarët dibranë, të cilët presin që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që të rregullohet edhe funksionimi i shitjes së prodhimeve në treg.