Deklaratat e zyrtarëve të lartë, si në Maqedoni po ashtu edhe në Greqi, lidhur me vullnetin e tyre për të zgjidhur problemin me emrin, vetvetiu ngjallin një optimizëm se gjasat janë reale që në vitin 2018 të arrihet një kompromis midis dy vendeve, vlerësoi analisti politik, Albert Musliu. Sipas tij, gjërat nga pika zero kanë lëvizur dhe kjo dëshmohet nga agjenda e paralajmëruar e negociatorëve.
“Gjërat prej pikës zero kanë lëvizur, ne kemi një agjendë të ngjeshur edhe të Nimicit edhe të negociatorëve. Kemi tre takime të paralajmëruara qysh më parë, tre muajt e parë të vitit 2018. Ashtu që mendoj se gjërat kanë filluar të lëvizin. Uroj që në proces të mos ketë ndonjë bllokadë të panevojshme. Mendoj se edhe prej deklaratave të politikanëve të cilët janë të involvuar në Greqi, bile edhe të përfaqësuesve të opozitës, që ky proces realisht ka shans të përmbyllet në gjysmën e parë të vitit 2018”,- deklaroi për MTV2, analisti politik, Albert Musliu.
Musliu pret që procesi të përmbyllet domosdoshmërisht me referendum, ashtu edhe siç kanë paralajmëruar të gjithë faktorët politikë. Por, thotë se një kompromis eventual do të ishte me ndikim pozitiv në gjithë procesin e referendumit.
“Të gjithë faktorët politikë e kanë paralajmëruar edhe nevojën dhe domosdoshmërinë e mbajtjes së referendumit. Unë mendoj se referendumi do të mbahet dhe realisht nëse arrihet ndonjë kompromis ai kompromis do t’i japë shans edhe referendumit që të jetë pozitiv se edhe qytetarët e Maqedonisë tani janë të vetëdijshëm se ky proces duhet të përmbyllet dhe uroj që ai të përmbyllet për të gjithë”,- theksoi analisti politik, Albert Musliu.
Ndryshe, Metju Nimic, ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit takimin e radhës mes palës greke dhe asaj maqedonase e ka caktuar më 16 dhe 17 janar të këtij viti.