Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë duke u frikësuar me marrë vendime, e ka lënë “Kosovën bukur shumë prapa”.
Lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri trancizionale, Musliu tha se kjo parti as nuk po ka guxim të bashkëpunojë me PDK-në dhe as me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton KosovaPress.
Deputetja e PDK-së konsideron se adoleshenca politike duhet të marr fund.
Musliu: LDK as nuk po shtyhet as nuk po ngrehet
“Sot ne e kemi mbledhjen e kryesisë dhe do të japim një qëndrim zyrtar të partisë. Lidhja Demokratike gjithmonë duke u frikësuar me marr vendime e ka lënë Kosovën bukur shumë prapa, as nuk shtyhet as nuk ngrehet kur thotë populli dhe thjesht ata as nuk po guxojnë me u bë me Albin Kurtin, as nuk po guxojnë me u bë me neve duhet me qenë një lider që tregon pjekuri dhe pozicionet njëherë e mirë qartë. Nuk bënë PDK, nuk bënë LVV jo tash hajde se po bëjmë të gjitha bashkë kjo është thjesht me bë hajgare me votën e qytetarëve dhe thjesht me thellua krizën politike në vend. Unë mendoj se kjo adoleshenca politike duhet të marr fund dhe kryetarët e partive të cilët më nuk e meritojnë as me i quajtur lider duhet përfundimisht të tregohen të përgjegjshëm ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës, shkruan KosovaPress.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.