Raundi tjetër i negociatave, mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Kocias dhe Dimitrov, do të jetë më shumë teknik, ku do të insistohet në përmbylljen e dallimeve të cilat ekzistojnë, vlerëson analisti Albert Musliu. Ai shtoi se pas takimit në Vjenë, çështja e emrit ka marrë drejtimin e duhur, është përshpejtuar dhe se po i vjen fundi.
Unë besoj se ky do të jetë takim i përmbylljes se çështjeve më të mëdha, normalisht se kontestohet çështja e ndryshimit të Kushtetutës. Gjithë çështjet e ngritura janë çështje të rënda nuk janë të lehta, prandaj edhe gjithë procesi ka zgjatur me decenie, por mendoj se tash është duke hyrë në fazën përfundimtare, edhe mbas takimit të Ohrit mund realisht të fillojnë besoj unë, përgatitjet për takimin të dy kryeministrave për mbylljen e çështjes – tha Albert Musliu, ekspert.
Pas raundit të negociatave në Vjenë, bisedimet vazhdojnë këtë javë na datën 12 në Maqedoni. Sipas ministrit grek Kocias, tani pritet të hidhet “një hap i madh”. Ndërsa pas përfundimit të këtij takimi, nuk përjashtohet mundësia që pos ministrave të Jashtëm, të takohen edhe kryeministrat e dy vendeve. Një ditë më parë në një intervistë për gazetën gjermane “Shpigel”, Kocias u shpreh se dallimet me Shkupin janë më karakter historik, që ka të bëjë më identitetin dhe trashëgimin kulturore. Këto çështje janë të ndjeshme, shtoi Kocijas, por mund të zgjidhen me guxim dhe kurajë.