Miliarderi amerikan, Elon Musk është shprehur përmes platformës X në lidhje me rastin e pedofilit tashmë të ndjerë, Jeffrey Epstein.
“Wow, nuk mund të besoj që Epstein vrau veten para se të kuptonte që gjithçka ishte mashtrim”, shkroi Musk.
Kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump zemëroi mbështetësit e tij kur deklaroi se nuk do të publikonte asnjë dosje shtesë për Epsteinin, financierin e pasur dhe të dënuarin për krime seksuale, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në burg në vitin 2019.
Musk kishte deklaruar disa javë më parë se emri i Trumpit ndodhej në këto dosje. Javën e kaluar, FBI njoftoi se nuk ekziston lista e klientëve të Epsteinit, disa muaj pasi prokurorja e përgjithshme e Trumpit, Pam Bondi, pretendonte se një kopje e kësaj liste ndodhej në tavolinën e saj.
Trump prej vitesh u kishte premtuar mbështetësve se do ta publikonte “listën e klientëve famshëm” të Epsteinit, në të cilën supozohet se ndodhen persona të njohur dhe politikanë me profil të lartë.
Për më tepër, FBI dhe Departamenti i Drejtësisë hodhën poshtë pretendimet se Epstein ishte vrarë në burg, duke theksuar se vdekja e tij erdhi si pasojë e vetëvrasjes.
Trump, i cili shfaqet në të paktën një video të vjetër disa dekadash në një festë të organizuar nga Epstein, ka mohuar se emri i tij ndodhet në dosje.
Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk kishte kontakt të drejtpërdrejtë me Epsteinin dhe se “nuk kishte qenë mik me të për të paktën 18 vjet para vdekjes së tij”.
Ndryshe, Wall Street Journal publikoi një letër ditëlindjeje që Trump i dërgoi pedofilit Epstein.