Mbrëmë në Zajaz të Kërçovës ka mbajtur tubim me qytetarë Fatmir Limani, kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Kërçovës. Në këtë tubim, fjalën e mori edhe Musa Xhaferi, i cili është në përkrahje të Limanit në këto zgjedhje.
Musa Xhaferi në fjalimin e tij ju bëri thirrje kërçovarëve që ta mbështesin Limanin edhe publikisht, pasi siç potencoi Xhaferi, ekziston një frikë për të dalë publikisht në mbështetje të kandidatit të pavarur, Fatmir Limani.
“Ndihem keq për shkak se ka shumë njerëz që do e votojnë Fatmir Limanin por që nuk dalin publikisht nëpër tubime. I njoh mirë këto situata, e them nga përvoja. Ata deri të dielën duhet ta gjejnë guximin dhe të dalin të votojnë. Asgjë tragjike nuk do u ndodhë. Njëri nga kandidatët do të fitoj këtu! Nuk është e vërtetë që vota shqiptare në Kërçovë do të ndahet dhe do të fitoj kandidati i VMRO-DPMNE-së. Ata janë spekulime të atyre që janë frikësuar se do të humbin. Nuk është e vërtetë. Ne do të shihemi edhe pas 17 tetorit, këtu do të jetë balotazh. Nuk mund ai t’i mbirje votat. VMRO-DPMNE-ja do të ketë 6000 vota. Të tjerët votojnë për Deharin dhe Limanin. Bëjnë spekulime se ca vota të VMRO-DPMNE-së do të kalojnë tek Fatmir Limani, po mirë, ata haptazi dalin dhe thonë se Zoran Zaev dhe LSDM-ja i mbështet ato. Pse duhet të çuditeni? Le ta votojnë, mirë, kanë partneritet”, tha Xhaferi.
Më pas, Xhaferi bëri thirrje që të zhvillohet fushatë e qetë dhe që të mos ketë eksese në mes taboreve.
“Ne nuk jemi për eksese, nuk i ngacmojmë por nuk do lejojmë as të na ngacmojnë, normalisht që kjo është demokraci”, ishin fjalët e Musa Xhaferit.
Xhaferi në fjalimin e tij inkurajoi edhe funksionerët e BDI-së në Kërçovë që ta mbështesin Fatmir Limanin. Ai i bëri thirrje edhe kryetares së degës së BDI-së në Kërçovë që ta bëjë të njëjtën.
“Unë jam i vetëdijshëm që kryetarja e degës të BDI-së është nga lagja ku unë kam jetuar gjithë jetën. Kjo nuk është luftë kundër asaj. Ajo bën detyrën e vetë. Unë si më i vjetër kam një porosi për të. Ajo duhet të votojë Fatmir Limanin, vota është e fshehtë. Aty ju duhet koncentrim 5 sekonda të mendosh se do të votosh për 4 vitet e ardhshme. Vota është forca e pushtetit”, ishte porosia e Musa Xhaferit.
Në fund, Musa Xhaferi bëri një paralele duke kujtuar kohën kur forcat e regjimit të kaluar kanë vrarë babanë e Fatmir Limanit, Beqir Limanin. Xhaferi tha se do ishte turp nëse tani do e “vrasim” politikisht edhe Fatmir Limanin, duke mos e përkrahur në këto zgjedhje.
“Tani do u tregoj se çka unë personalisht mendoj, që të mos ketë spekulime, unë e kam për obligim dhe për nderë që t’a mbështes Fatmir Limanin. Ne të gjithë e dimë se para shumë vitesh shumë shovinistë e kanë rrethuar dhe e kanë vrarë babanë e Fatmir Limanit. Ata kanë dashur që ta ndalin atë rrugë, me forcë, nuk ka ma keq se kur dikush i merr jetën dikujt! Kanë kaluar shumë vite, kemi ardhur në një gjendje fal këtyre sakrificave që të bëjmë zgjedhje kështu të lira. Por mirë, hajde nëse nuk kemi turp si kërçovarë ta vrasim politikisht Fatmir Limanin duke mos e votuar. A ka më turp?! Pse të frikësohemi nga ky? Mos vallë do e shkatërroj Maqedoninë nëse fiton?! Turpi i kërçovarëve do jetë “Nëse shqiptarët më 17 tetor nuk e votojnë Fatmir Limanin”. Ata të tjerët që i morën jetën prindit të tij i gëzohen këtij lajmi. Ne duhet të u kundërpërgjigjemi. Ne duhet ta votojmë Fatmir Limanin dhe të tregojmë se ajo kohë kur ata kanë mundur t’i vrasin edhe fizikisht edhe politikisht ka kaluar. Andaj më falni, shumë vëllazërisht përcilljani të tjerëve që nuk janë sonte këtu këtë porosi: Nuk është turp të dalim dhe të përkrahim Fatmir Limanin, edhe në fushatë jo vetëm tek kutia e votimit. Nuk kemi përse fshihemi, nuk jemi duke vjedhur e as nuk jemi kundër askujt. Tani do u them edhe një gjë, të dielën në mbrëmje në këtë kohë ne do të jemi bashkë në fushatë dhe do ia kthejmë krenarinë Kërçovës dhe do u japim porosi të tjerëve se nuk mund të na vrasin më”, përfundoi Musa Xhaferi.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/10/musa-649x600.jpg)