Shkruan: DEHRAN MURATOV
Nacionalizmin, njëmendësinë dhe krimin, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në mënyrë të ngathët përpiqet t’i fshehë pas petkut patriotik. Në fakt, ai defokuson se rasti “Feniks” në të cilin ndër të dyshuarit për shpërdorim detyre dhe pastrim parash për projektin “Shkupi 2014” janë edhe ish-kryeministri, refugjati në Budapest, Nikolla Gruevski, ish-ministrat Zoran Stavrevski dhe Elizabeta Kançeska-Milevska, ish-kryetarët e Komunës Qendër, Violeta Allarova dhe Vladimir Todoroviq, ish-kryetari i Këshillit të komunës së Qendrës, Vladimir Zdravev… është thjesht një “teatër para publikut” dhe se duke hedhur hije mbi simbolet e identitetit mohohet identiteti maqedonas.
“Identiteti maqedonas vazhdon të mohohet sepse hidhet hije mbi shenjat identitare, pra ato monumente që synojnë të tregojnë vazhdimësinë historike të betejës së popullit maqedonas për shtetin e tyre dhe betejën për identitetin e vet.
Ndoshta është mirë me kamerat, (gazetarët), të shkojmë te monumenti në Sllupçan dhe të pyesim se kush e ka dhënë lejen e ndërtimit, kush e ka financuar dhe si… Ose ndoshta doni të shkojmë në Zajaz, në Kollare, apo nëse doni t’ju dërgoj edhe në disa vende tjera në Maqedoni ku ka ndërtime të tilla pa leje…”, thotë Mickoski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së luan aq keq me ndjenjat e maqedonasve, saqë krimin e bashkëpartiakëve të tij mundohet ta paraqesë si akt patriotik. Vjedhja e parave të qytetarëve nuk konsiderohet si patriotizëm askund në botë. Përkundrazi, konsiderohet tradhti.
BDI-ja iu përgjigj me gjuhë identike thirrjes së Mickoskit dhe i tha atij në vend që të zhytet çdo ditë në ndjenjat antishqiptare dhe antievropiane, të mbështesë Maqedoninë evropiane dhe ndryshimet kushtetuese dhe në vend që të nxjerrë imazhe të rralla arkivore me uniformë të kamufluar me kallashnikov të zbrazur dhe gra e fëmijë gjatë përcjelljes për në shërbim ushtarak, ta përkthejë faqen e partisë së tij në shqip dhe në vend që të thërrasë për luftë në mes të Kuvendit para gjithë opinionit, të dëshmojë virtyt dhe të përkulet para Kullës Përkujtimore në Sllupçan.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në koktejin e organizuar për zgjedhjen e përbërjes së re të degës së Çairit, ka theksuar sërish se partia është nën sulm nga të gjitha anët, sepse ajo është çelësi i funksionimit të shtetit, por se BDI-ja nuk është aq e lehtë të shembet, sepse është një strukturë e lindur nga UÇK-ja dhe gjaku i dëshmorëve.
BDI nuk është rrëzuar asnjëherë më parë, sepse partia jonë nuk ka lindur në sallone politike apo studio televizive, por është krijuar nga UÇK-ja dhe gjaku i heronjve”, tha Ahmeti.
Ndërsa të dy po konkurronin për të ndërtuar një monument më të madh, në emër të patriotizmit dhe forcimit të nacionalizmit, qytetarët kërkojnë një standard më të mirë jetese.
Ndërtimi i nacionalizmit përmes frikës së “kosovarizmit”
Levica, e udhëhequr nga lideri dhe deputeti Dimitar Apasiev, që kur ekziston në skenën politike “bëri emër” duke përhapur nacionalizëm dhe duke i frikësuar qytetarët për një lloj “kosovarizmi”.
“Kosovarizimi vazhdon… LSD-ja e bëri Maqedoninë krahinë nënkosovare!” LSD a ke dy gram tru, nënën ua …! Për një ditë më shumë në pushtet, shet Republikën e ndërtuar brez pas brezi – me shumë gjak, djersë dhe lot. Do të vareni së bashku. Po vlon Maqedonasi”, shkruan ndër të tjera kreu i Levicës.
Dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovacki, e ndërtoi patriotizmin duke përhapur gënjeshtra për gjoja praninë ilegale të policëve nga Kosova, të cilët në fakt erdhën për të ndihmuar në kërkimin e automjetit nga Kosova që ra në lumin Lepenc, duke vrarë tre persona , në muajin Qershor.
Spasovski le të ecë në fushata krah për krah dhe persona të huaj të uniformuar le të ecin në vendin tonë”, tha Kovaçki duke u përpjekur të marrë pikë të vogla politike nga tragjedia.
MPB-ja ka thënë se pas tragjedisë, në bazë të memorandumit të bashkëpunimit që kanë me Policinë e Kosovës, ka mbërritur një ekip me pajisje të policisë së Kosovës, i cili vazhdimisht ka punuar me policët maqedonas në kërkim të qytetarëve të Kosovës.
“Është e pabesueshme se si dikush mund të përdorë edhe një tragjedi të tillë për të politizuar dhe ngacmuar qytetarët”, thanë në atë kohë nga MPB-ja.
A e pranon ndokush akoma atë spin se Maqedonia do të kosovarizohet?
Çfarë fshihej në fakt nën mantelin e KOM-KO në protestën kundër ligjit për barazi gjinore?
I ashtuquajturi “Tubim mbarëkombëtar kundër ligjit për barazi gjinore dhe ligjin për evidencë amë” që KOM-KO e organizoi më 29 qershor, në fakt ishte një tubim “njëkombësh”. Edhe pse protesta e KOM-KO-së në mënyrë deklarative mori përkrahje nga të gjitha bashkësitë fetare në Maqedoni, në atë protestë “mbarëkombëtare” nuk u paraqitën anëtarët e BFI-së, të asnjë partie politike të shqiptarëve dhe as të bashkësive tjera etnike (me disa përjashtime). Në vend të kësaj, aty ishin mbledhur vetëm “kryqtarët”, “rusofilët apo dashnorët e Putinit”, partitë (ultra) të djathta dhe nacionalistët. Mbledhim i Kishës me adhuruesit pro-rusë të selfie-ve.
Në atë “mbarëprotestë kombëtare” dolën edhe deputetë, anëtarë dhe liderë të partive politike, të cilët në deklaratat dhe postimet e tyre në rrjetet sociale bënë propagandë se “maqedonasit duhet të mbijetojnë, që të ekzistonë”. Domethënë, narrativa e asaj proteste në fakt ishte se identiteti maqedonas dhe ortodoksia duhet të ruhen me çdo kusht. Dhe nga kush ta shpëtojë?
Pas protestës, deklarata e presidentit Stevo Pendarovski, në të cilën ai theksoi se njerëzit nga Sinodi i KOM-it bashkëpunojnë me shërbimet ruse, kaloi disi në heshtje.
Përndryshe, Qeveria ka tërhequr nga procedura dy ligjet për të cilat është protestuar – për barazinë gjinore dhe për evidencën amë dhe ka kërkuar një debat më të gjerë social.