Fatmir Bytyqi
Si një socialdemokrat dhe anëtar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, besoj fuqishëm se unë dhe shumë bashkëpartiakë të mi, kemi cilësitë dhe kualifikimet e duhura për të sfiduar postin e e kryetarit të LSDM-së në zgjedhjet që do të mbahen më 30 qershor.
Mbajtja e postit të nënkryetarit të LSDM-së në tri vitet e fundit nuk më bën të privilegjuar as të favorizuar kundrejt çdo anëtari tjetër të partisë, të gjithë jemi të barabartë dhe në fakt, kjo është një nga vlerat themelore të demokracisë sociale.
Jam i vetëdijshëm se shumë nga bashkëpartiakët e mi, si dhe një numër i madh i miqve të mi që janë përkrahës të LSDM-së, presin nga unë të jem njëri nga kandidatët në zgjedhjet e ardhshme për kryetar, dhe ky është një nder i madh për mua. Besoj se, shumë prej tyre jetojnë dhe kontribuojnë në shoqërinë tonë përmes të njëjtave vlera që ndajmë. Disa nga bashkëpartiakët tashmë kanë dalë me kandidaturat e tyre dhe kjo është e drejtë e tyre – mendoj se të gjithë ata që ndajnë vlerat socialdemokrate, që janë përfshirë aktivisht në proceset e mëparshme zgjedhore me qëllim të fitores së LSDM-së dhe që janë të etur për bashkim dhe rinovim të vlerave të partisë në periudhën e ardhshme, meritojnë të kenë mbështetjen time dhe të të gjithë anëtarëve tanë.
Disa nga anëtarët tashmë janë duke marrë anë përmes përkrahjes të të preferuarve të tyre që për mendimin tim nuk është mënyra më e mirë, nëse qëllimi ynë primar në këtë periudhë është ruajtja e unitetit dhe dinjitetit brenda LSDM-së. Tani kemi nevojë për llogaridhënie, integritet, transparencë dhe drejtësi në zgjedhjet e ardhshme – dhe vetëm duke i respektuar do të dëshmojmë se shtetëformësia e unitetit Socialdemokrat nuk është vetëm në letër. Unë si Fatmir nuk jam shtylla më e fortë në LSDM por as në shoqërinë tonë – por unë si pjesë e EKIPIT që i jeton të gjitha vlerat e përmendura më lart, jam një nga ata që besoj se partia jonë shumë shpejt mund t’i kthehet shtigjeve të fitores. NE jemi ata që besojmë se mund të përqafojmë NDRYSHE metodat e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë për diversitetin. Ne jemi ata që kërkojmë një rrugë NDRYSHE drejt unitetit dhe dialogut, të cilët besojmë se nevojitet një lidership i ri që do të jetë në përputhje me vlerat socialdemokratike. NE jemi ata që besojmë në një shoqëri ku të gjithë jemi njejtë të barabartë, NE jemi ata që besojmë në dialogun e sinqertë dhe solidaritetin me sindikatat/punëtorët, NE jemi ata që besojmë në kohezionin social, NE jemi ata që besojmë në funksionalitetin dhe administratë publike, në një shoqëri të dixhitalizuar, NE jemi ata që besojmë në ndërkulturalizëm, NE jemi ata që besojmë në socialdemokracinë si një forcë progresive në Maqedoni – dhe NE jemi shumë por të ndryshëm, megjithatë të bashkuar në idealet dhe synimet tona.
NE jemi shumë më tepër se vetëm një Fatmir – NE jemi edhe Borçeja, Valentina Ne jemi edhe Kiril, Safia, Roberti dhe Anna, Millani, dhe Denisi, Kristina dhe Stefani, Nevzati dhe Vladimiri, Marijana, Stojançeja dhe Ilija, si dhe Vesna, Metodi, Dejani dhe Mevludej dhe shumë e shumë të tjerë të ndryshëm.
Ne jemi biznesmenë dhe sindikalistë, zejtarë dhe administrator, pensionistë dhe të rinj por edhe arkëtarë dhe higjenistë dhe menaxherë dhe shumë të tjerë me profesione nga më të ndryshmet. NE jemi maqedonas dhe shqiptarë, ne jemi edhe romë, malazezë, vllehë dhe turq, serbë dhe egjiptias dhe shumë të tjerë në Maqedoninë tonë.
Në kuadër të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, NE do të funksionojmë ndoshta si fraksion, ndoshta si grup, por sigurisht si pjesë e LSDM-së që nuk do të shkojë askund tjetër – natyrisht, përderisa të dëshmojë në vepër ai që zgjidhet kryetar se ndan të gjitha ato vlera që NE përfaqësojmë. Për të qenë të qartë: NE nuk pranojmë më kompromise me vlerat themelore socialdemokratike – siç është bërë në dy vitet e fundit e më shumë. Nuk kemi më hapësirë dhe kohë për improvizime me ideologjinë që mbartim brenda.
Për të hequr çdo dilemë: aktualisht, në këtë periudhë zgjedhore nuk do të kandidoj për kryetar të LSDM-së nga shkaku I parandalimit të fragmentimit dhe polarizimit të mëtutjeshëm të anëtarësisë sonë. Megjithatë, misioni im politik shtrihet përtej funksioneve dhe ndarjeve partiake, ai vë në spikamë bashkëpunimin, dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, që mund të arrihen NDRYSHE nga tani, duke i kthyer vlerat socialdemokratike. Një gjë e tillë është krejtësisht NDRYSHE nga traditat e mëparshme politike të sjelljes ndaj shtetit, madje edhe ndaj partisë. Pres dhe besoj se ideologjia dhe vlerat do të bëjnë ndryshimin dhe dallimin, fillimisht në LSDM, e më pas edhe në shtet.