Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë ka ngjallur reagime jo vetëm në Kosovë. Sot, BE-ja, duke përshëndetur këtë veprim të institucioneve të zbatimit të ligjit, ka deklaruar se pritjet e Brukselit janë që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetime dhe procedura të tjera përkatëse.
Analisti politik, Fitim Mulolli, tha se është pozitive që BE-ja e ka përshëndetur ngritjen e aktakuzës, por shtoi se do të jetë e vështirë që të ketë bashkëpunim me Serbinë për këtë rast.
“Vështirë se do të ndodhë bashkëpunimi nga Serbia. Kemi përvojë mjaft të hidhur në bashkëpunimin me Serbinë, sidomos në këtë rast që është shumë i ndjeshëm dhe besohet se fuqishëm janë të implikuar edhe figura të larta të aparatit shtetëror të sigurisë së Serbisë,” tha ai në RTK.
Sipas tij, nuk pritet që të ketë bashkëpunim me Serbinë në shkëmbimin e dokumenteve dhe dëshmive që do të çonin në zbardhjen e këtij rasti.
Ai tha se investimet e mëdha në Serbi e forcojnë pozicionin e saj.