Ish-sekretari i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën për të cilën akuzohet. Nga ana tjetër, prokurorja Katerina Kolareviq deklaroi se me materialet dhe dëshmitë verbale, si dhe me gjetje të ekspertëve, do ta dëshmojnë barrën.
Sipas aktakuzës, Zeqiri si person zyrtar sekretar i përgjithshëm i Qeverisë me dashje ka kryer dy vepra të ndërlidhura përkohësisht që paraqesin realizim të shumëfishtë të veprës së njëjtë.
Mbrojtja e të akuzuarit Zeqiri sot në fjalën hyrëse tha se gjatë procedurës do të dëshmojë se i akuzuari nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
“Mbrojtja gjatë procedurës do të dëshmojë se i akuzuari nuk e ka kryer veprën për të cilën ngarkohet, se në veprimet e tij nuk ka elemente inkriminuese, si dhe në aspektin e lejueshmërisë juridike të veprimeve të tij për të cilat ngarkohet dhe në kushtet e dëmit eventual”, tha avokati Vladimir Andreevski.
Sipas tij, atë që e dëgjuam si aktakuzë si në formë të shkruar ashtu edhe në prezantimin e sotëm është, siç tha ai, “një fjalim gjysmë politik për disa parime, qëllime dhe çështje të tjera parimore”.
“Dhe askund nuk kemi dëgjuar e parë se cila dispozitë ligjore është shkelur nga të pandehurit, përkatësisht çfarë shkelje konkrete dhe cili ligj material është bërë për t’u fajësuar”, tha ai.
Mbrojtja theksoi se pret aktgjykim lirues për të akuzuarin Muhamed Zeqiri.