Muhamed Ali, i cili deri më tani ka qenë i punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, është emëruar drejtor i ri i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), bëri të ditur sot drejtori i deritanishëm i QMK-së, Stojançe Angellov.
Angellov tashmë do të marrë detyrën e re si drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Besoj se për të do të jetë e vështirë të ndjekë ritmin tim të punës, por gjithashtu besoj se është i përgatitur të japë maksimumin për të hyrë më shpejt në specifikat e menaxhimit të krizave,” deklaroi Angellov.
Ndërkohë, për zëvendësdrejtor të Qendrës për Menaxhim me Kriza është emëruar Trajçe Jovanovski, i cili punon në këtë institucion që nga viti 2008 dhe deri tani ka qenë ndihmës-kryetar i sektorit për analizë, vlerësim dhe planifikim strategjik.