Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot mohoi kategorikisht se ekziston ndonjë marrëveshje për pranimin e emigrantëve.
“Dua të jem i qartë: kjo Qeveri as nuk ka ndjek dhe as nuk do të ndjekë politikë për pranimin e emigrantëve – në asnjë formë. Nuk ka marrëveshje, as negociata, nuk ka kuota, as qendra, as marrëveshje transiti. Një iniciativë e tillë as nuk është shqyrtuar, as nuk ka ndonjë qëllim politik në atë drejtim. E gjithë kjo është absolutisht e pavërtetë”, bën të ditur në postimin në Fejsbuk, ministri Mucunski.
Ai më tej shton se Qeveria është plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe se ndërton partneritete që sjellin përfitime konkrete për çdo familje, për çdo komunë dhe vendin në tërësi.
“Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar bazohet në respekt dhe besim të ndërsjellë si dhe në bashkëpunim në politikë, ekonomi dhe siguri. Kjo nënkupton iniciativa dhe projekte reale që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të prekshme për qytetarët – dhe jo skenarë të shpikura për nevojat e politikës ditore”, thekson Mucunski.
Ai thekson se tema e pranimit rreth emigrantëve paraqet “një përpjekje klasike të politikës ditore për defokusim – pasojë e vlerësimit dramatik të ulët dhe mungesës së ideve në të cilën LSDM është bllokuar një kohë të gjatë”.
“Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme të mbahen konferenca për shtyp bazuar në informacione sensacionale, të paverifikuara dhe të pasakta, të cilat qëllimisht krijojnë një perceptim të rremë në opinion dhe për hir të interesit partiak, keqpërdoren tema të ndjeshme”, përfundon Mucunski.


