Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski thotë se ka komunikim aktiv me Bashkimin Evropian në lidhje me një zgjidhje për masat e shpallura për transportuesit tanë, si dhe tarifat e eksportit për industrinë e çelikut. Me këtë rast, siç thotë, në rast të zbatimit të tyre, ne do të paguajmë një çmim që do të jetë katër deri gjashtë herë më i lartë se fondet që do të merrnim nga Plani për rritje.
Mucunski, sonte në TV Sitel tha se shpreson për ndonjë epilog, pasi BE ka treguar se është në dijeni se ekziston problem dhe se po punon për të gjetur zgjidhje.
Sipas shefit të diplomacisë, nëse qëllimet për integrimin e rajonit janë të sinqerta, BE-ja nuk do të lejojë të zbatohen masa që do të kenë ndikim kaq negativ në ekonomi.
“Nuk është vetëm problemi me transportuesit, kemi edhe një sfidë tjetër – zbatimin e mundshëm të tarifave nga BE-ja ndaj vendeve në rajon për eksportet e çelikut. Kjo nuk vlen vetëm për ne, por për të gjitha vendet kandidate dhe vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nga shtatori, ne kemi komunikuar në mënyrë aktive me Bashkimin Evropian për këto dy çështje kyçe. Mes tjerash, ne i themi BE-së se, me respektin më të madh për Planin për rritje, të cilin e konsideroj shumë pozitiv dhe shumë domethënës, nëse kjo masë zbatohet për transportuesit tanë dhe nëse zbatohet masa për tarifat në industrinë e çelikut, ne do të paguajmë çmim që do të jetë katër deri në gjashtë herë më i lartë se fondet që do të merrnim nga Plani për rritje. E njëjta BE që ankohet për tarifa joparimore, ka vendosur të na vendosë jo vetëm ne, por të gjithë rajonin, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, në grup të tarifave me Rusinë, Bjellorusinë, Korenë e Veriut, Qipron dhe ne me muaj u themi zyrtarëve të lartë se duhet të gjendet një zgjidhje”, tha Mucunski.
Ai thotë se kjo çështje është hapur disa herë në nivelin më të lartë, siç ishte rasti gjatë vizitës së kryetares së KE-së, Ursula fon der Lajen nga ana e kryeministrit, Hristijan Mickoski.
“Si vende, ne jemi informuar se BE-ja është e vetëdijshme se ekziston një problem dhe se po punon për të gjetur një zgjidhje. Atë me të cilën nuk jemi të kënaqur është shpejtësia me të cilën po punohet për gjetjen e kësaj zgjidhje, por puna e jonë është të diskutojmë, të apelojmë dhe të ofrojmë zgjidhje konkrete në lidhje me të dyja çështjet dhe të jemi të unifikuar në qëndrimin si rajon. Shpresojmë për ndonjë epilog. Nëse Bashkimi Evropian është i sinqertë në qëllimet e tij për integrimin e rajonit, sigurisht, në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë, nuk do të lejojë zbatimin e masave që do të kenë ndikim kaq negativ ekonomik ndaj tërë rajonit”, tha Mucunski.


