Dje ishte një nga ditët më të rënda për vendin tonë. Tragjedia në Koçan më shqetësoi thellë, para së gjithash, si njeri dhe si prind. Në këto momente të vështira, është e rëndësishme që të qëndrojmë të bashkuar në dhimbje dhe solidaritet. Më lejoni të shpreh edhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet që po përballen me këtë humbje të pariparueshme, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
“Detyrimi ynë si shtet është të ofrojmë kushte adekuate trajtimi dhe mbështetje të plotë për të lënduarit. Gjatë ditës së djeshme kam vizituar pacientë të cilët po mjekohen në Kroaci dhe Austri. Bisedova me familjet e tyre dhe personalisht dëshmova përkushtimin e personelit mjekësor që kujdesej për shërimin e tyre. Të gjitha shpenzimet e qëndrimit të familjeve mbulohen nga shteti, ndërsa misionet tona diplomatike dhe konsullore kanë rol kyç në organizimin dhe realizimin e trajtimit mjekësor, si dhe në mbështetjen e familjeve jashtë vendit”, shkruan Mucunski.
Ai iu referua edhe takimeve të shkurtra, siç shkroi me homologun e tij kroat Gordan Gërliq-Radman ku mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë së Kroacisë, Irena Hristiq. Pastaj në Vjenë, ai kishte takim dypalësh me ministren e re të Punëve të Jashtme të Austrisë, Beate Majnll-Rajsinger. Në takimet Mucunski shprehu falënderim të thellë për ndihmën e ofruar dhe për solidaritetin që treguan në këto momente të vështira për vendin tonë.