Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot njoftoi se statusi i Liqenit të Ohrit si një vend i trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore është ruajtur.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se statusi i Liqenit të Ohrit si një vend i trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore është ruajtur. Ky sukses është rezultat i një diplomacie aktive, të përkushtuar dhe të koordinuar, në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare. Së bashku kemi treguar se kur ka një vullnet të qartë, koordinim dhe një qasje të përgjegjshme – rezultatet janë të pashmangshme”.
Mucunski theksoi se që nga dita e parë, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, kanë qenë aktivisht të përfshirë në proces.
“Kemi pasur diskutime intensive, kemi zhvilluar konsultime diplomatike dhe kemi ndërtuar qëndrime të përbashkëta me shtetet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore”, tha Mucunski duke shtuyar se është e nevojshme të theksohet se situata që trashëguan ishte rezultat i viteve të neglizhencës, menaxhimit të papërgjegjshëm dhe mungesës së masave thelbësore nga qeveria e mëparshme.
“Në vend të parandalimit dhe përgjegjësisë, ata lanë një problem që kërkonte zgjidhje urgjente. Qasja jonë ishte e ndryshme – jo deklarative, por e përkushtuar dhe e fokusuar në rezultate”, tha Mucunski.