Florent Muslija mund të largohet nga SC Freiburg gjatë afatit kalimtar të verës.
Sipas asaj që raporton Sky Sport Germany, një largim i mesfushorit ofensiv jo vetëm që është i mundur, por gjithnjë e më i mundshëm, pasi aventura e tij te klubi gjerman nuk ka dhënë rezultatet e pritura, as për lojtarin dhe as për klubin.
Muslija iu bashkua Freiburgut në janar të vitit 2024, duke ardhur nga SC Paderborn, ku pati një formë të shkëlqyer në Bundesliga 2.
Megjithatë, te skuadra e Bundesligës, ai nuk arriti të përshtatej në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht mundësive të dhëna si nga trajneri i atëhershëm Christian Streich, ashtu edhe nga pasardhësi i tij, Julian Schuster.
Që nga paraqitja e tij e fundit më 3 dhjetor në një ndeshje të Kupës së Gjermanisë, Muslija nuk është aktivizuar më. Në Bundesligë, 26-vjeçari ka bërë vetëm nëntë paraqitje, të gjitha si zëvendësues dhe nuk ka regjistruar asnjë gol apo asistim.
Megjithëse ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, lojtari me prejardhje nga Kosova shihet si një prej futbollistëve që mund të largohet në verë, dhe Freiburg nuk pritet të bëjë pengesa për shitjen e tij.
Gjithnjë sipas Sky Sport Germany, interesimi nga klube të tjera të Bundesligës tashmë ka filluar të konkretizohet.
Muslija mbetet një lojtar me cilësi të padiskutueshme, i fortë teknikisht, kreativ dhe me vizion në mesfushë, por rrethanat në Freiburg nuk i kanë shkuar në favor dhe largimi në verë është i pashmangshëm.