Ndër pjestarët e Islamit muaji i Ramazanit paraqet muajin më të lartësuar dhe më të dalluar, sepse këtë muaj Allahu xh. sh. e zgjodhi për fillim të zbritjes së Shpalljes se Kur’anit famëlartë nëpërmjet Muhamedit a. s
Nga Shaqir Fetahu
Sipas konceptit islam mbi njeriun, për formimin e personalitetit të shëndoshë të njeriut dhe për përcaktimin e aktiviteteve të tij, përveç besimit në Allahun xh. sh., namazit, haxhit dhe obligimeve të tjera, agjërimit i takon një vend mjaft me rëndësi. Ai luan rol të jashtëzakonshëm në formimin e përsosur të të gjitha aspekteve jetësore të njeriut. Përë këtë myslimanët e gjithë botës, duke e kuptuar rëndësinë e tij, me gëzim dhe kënaqësi të madhe e presin këtë muaj, respektivisht muajin e shenjtë të Ramazanit, me vetëdije se ky muaj është muaj i lavdishëm, muaj i agjërimit, muaj i Kur’anit, muaj i bereqetit, muaj i rahmetit dhe i makfiretit, muaj i shëndetit, i dashurisë dhe i solidaritetit ndërnjerëzor..
Muaji i Ramazanit është muaj i arsimit islam
Ndër pjestarët e Islamit muaji i Ramazanit paraqet muajin më të lartësuar dhe më të dalluar, sepse këtë muaj Allahu xh. sh. e zgjodhi për fillim të zbritjes së Shpalljes se Kur’anit famëlartë nëpërmjet Muhamedit a. s. Nga kjo ai paraqet arsimuesin e vërtetë për tërë njerëzimin. Ai është udhërrëfyes dhe dritë që ndan të vërtetën nga e pavërteta, dritën nga errësira. Këtë e vërteton Kur’ani famëlartë kur thotë:
”Muaji i Ramazanit është ai në të cilin filloi të shpallet Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë dhe dallimit të mirës nga e keqja.” (El Bekaretu)
Në të njëjtën kohë, përmes Kur’anit famëlartë njeriu u largua nga besimet e kota dhe të deformuara, duke i treguar njeriut se është i krijuar për të besuar dhe për të respektuar vetëm Allahun xh. sh., Krijuesin e qiejve dhe gjithçka që ekziston. Kur’ani famëlartë e çliroi njeriun nga prangat e të menduarit të verbër dhe të errët dhe e mësoi njeriun t’u përgjigjet pyetjeve: kush është ai, cili është qëlllimi i krijimit të tij, si të jetojë, si ta sigurojë fatin në këtë dhe në botën tjetër dhe, më në fund, si të vdesë? Njeriu në Kur’anin famëlartë gjeti arsimuesin e vërtetë dhe rrugën e drejtë të Allahut xh. sh.:
“Kjo rrugë është rruga ime e drejtë. Prandaj, mbajeni këtë rrugë dhe mos pasoni rrugë të tjera e të ndaheni nga rruga e tij.” (El En‘am: 153)
Ramazani është muaji i agjërimit
Muaji i Ramazanit, përveç që është muaji në të cilin ka filluar t’i shpallet Fjala e Allahut xh. sh. njerëzimit, është edhe Muaji i agjërimit të detyreshëm. Kjo edhe më tepër e lartëson këtë muaj të bekuar. Agjërimi i këtij muaji u bë obligim i detyrueshëm (fard) natën e dytë të muajit Sha’ban, në vitin e dytë hixhri, me fjalët e Allahut xh. sh.:
“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata para jush; ndoshta do të bëheni të devotshëm.”
(El Bekaretu: 183)
Sipas kuptimit etimologjik, fjala “Es Sijam” do të thotë “abstenim nga diçka”, ndërsa sipas kuptimit terminologjik të Sheriatit Islam do të thotë: ”abstenim nga ngrënia, nga pija dhe marrëdhëniet seksuale brenda ditës, me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut xh. sh.”.
Pra, agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim, i detyrueshëm për çdo mysliman dhe myslimane të moshuar, psikikisht dhe fizikisht të aftë e të shëndoshë. Këtë e shpjegon bukur Kur’ani famëlartë:
“Në ditë të caktuara me numër; por ai prej jush që është sëmurë ose në udhëtim – atëherë në ditë të caktuara me numër. Ndërsa për ata që nuk mund ta mbajnë – kompensimi është të ushqejnë një varfnjak. Dhe, kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është më mirë për atë.” (El Bekaretu: 184)
Shprehja kuranore “në ditë të caktuara me numër“ ka të bëjë me llogaritjen e muajve sipas hënës dhe ky numër është 29 ose 30 ditë, ndërsa shprehja “i sëmurë” në këtë ajet kuranor ka për qëllim të sëmurin prej ndonjë sëmundje të përkohshme, femrën shtatzënë, nënën me fëmijë për gjiri, femrën në ditët e menstruacionit (hajd dhe nifas), e me shprehjen kuranore “ata që nuk mund ta mbajnë” ka për qëllim plakun e mbetur ose atë që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, që nuk ka shpresë për shërim.
Agjërimi është zakon natyror dhe ibadet historik
Vetëm nëse analizojmë natyrën dhe dukuritë e ndryshme, në të do të shohim se agjërimi është zakon i natyrshëm dhe nga kjo do të vijmë në përfundim se çdo gjë në natyrë agjëron në mënyrën e vet, qoftë në botën bimore apo shtazore. Dimri është pastrim i natyrës, respektivisht i botës bimore, ndërsa këtë e hasim edhe në botën shtazore, si p.sh. shpeshherë shtazët mishngrënëse, në veçanti kur plagosen apo kur helmohen, së pari lypin ndonjë bar në natyrë, e pastaj një kohë të gjatë nuk marrin kurrfarë ushqimi, derisa të shërohen. Pastaj, dihet shumë mirë se shtazët të cilat dimrin e kalojnë në gjumë disamujor, pa ngrënë kurrgjë, në pranverë dalin të afta e të shëndosha për të vazhduar jetën e tyre, duke iu nënshturar instinktit – inspirimit nga Allahu xh. sh..
Shikuar fenomenin e agjërimit për nga aspekti historik, do të konkludojmë se agjërimi filloi bashkë me njeriun e parë, andaj agjërimi i muajit të Ramazanit nuk është obligim i parë për njerëzimin, për arsye se gjithmonë, edhe në kohërat shumë më të hershme, njerëzit agjëruan. Këtë na e vërteton edhe fjala e Allahut xh. sh. në Kur’anin famëlartë, kur thotë: “…agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush…”
Për këtë flet edhe historia, e cila vërteton se agjërimi ka qenë shtyllë kryesore e çdo shpalljeje hyjnore dhe gjithmonë është konsideruar si ibadet i madh dhe kryesor. Njeriu dhe pejgamberi i parë, Ademi a. s., agjëronte të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën ditë të çdo muaji; Davudi a. s. një ditë agjëronte e një ditë jo, pra gjysmën e vitit, ndërsa në Dhiatën Vjetër hasim në tekste të ndryshme të cilat pjesëtarëve të vet ua bën të obligueshëm agjërimin. Të njëjtën gjë e gjejmë edhe në Dhiatën e Re, në librin e shenjtë të të krishterëve, në të cilin libër ekzistojnë tekste të cilat pa masë e lavdërojnë agjërimin, të cilin edhe e numërojnë si ibadet të lartë dhe të rëndësishëm. Dihet mirë se Musai a. s. ka agjëruar katërdhjetë ditë dhe të dhjetën ditë të muajit Muharrem, ndërsa hebrenjtë i agjërojnë shtatë ditë brenda këtyre katërdhjetë ditëve. Agjërimin e hasim edhe në kohën e paganizmit të vjetër, sidomos tek egjiptasit e vjetër, nga të cilët mënyra e agjërimit të tyre kalon te grekët dhe romakët e vjetër. Po ashtu, agjërimi ka qenë i njohur edhe te sabejët, hindusët, budistët, mahineistët, konfuçionistët etj.
Nga e gjithë kjo nënkuptojmë se fenomeni i agjërimit, edhe pse në forma të ndryshme, ka qenë element i pandashëm i popujve dhe kulturave të ndryshme në të kaluarën. Kjo vetvetiu tregon rëndësinë, nevojën dhe natyrshmërinë e agjërimit.
Agjërimi – manifestim i aktivitetit shpirtëror
Çdo obligim fetar të cilin Allahu xh. sh. ua urdhëroi besimtarëve ka qëllimin e vet të caktuar dhe, si i tillë, është i dobishëm për këtë dhe për botën tjetër. Po kështu është edhe me agjërimin e muajit të Ramazanit.
Njeriu, si krijesë e dalluar nga krijesat tjera, paraqet qendrën mes dy botëve, mes shpirtërores dhe materiales, që do të thotë se njeriu është qenie dualistike, e përbërë nga shpirti dhe materia. Në sajë të këtyre dy elementeve, jeta e njeriut paraqitet si ndeshje dhe konflikt mes këtyre dy lëvizjeve kundërshtare: shpirti, i cili gjithmonë synon të bashkohet me burimin e vet, Allahun xh. sh. dhe materies, e cila gjithashtu synon t’i bashkohet burimit të vet, botës shtazarake. Njeriu, sipas mësimit kuranor, gjithmonë duhet të bëjë përpjekje për mbajtjen e një ekuilibri mes këtyre dy elementeve kundërshtare, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund ta trasojë rrugën më të përsosur shpirtërore, e cila do ta bëjë të aftë që me sukses ta kryejë amanetin e Allahut xh. sh. në tokë. Përkundrazi, nëse njeriu p.sh. i dorëzohet hovit të materies-epshit dhe bëhet rob i tij, atëherë ai e dërgon aty ku dëshiron, drejt mëkatit. Jemi dëshmitarë të kohës në të cilën njeriu plotësisht i është dorëzuar elementit shtazarak të materies-epshit, i cili e ka drejtuar dhe e ka zhytur në narkomani, në vjedhje, korrupsion, krim, terror, luftë, masakrime, gjenocide etj. dhe të gjitha këto janë bërë qëllim i jetës së tij, i kanë helmuar shpirtin dhe i kanë zhdukur vlerat e larta humane, të cilat janë bazë e personalitetit shpirtëror të njeriut.
Mjet më efikas për t’u çliruar nga prangat e epsheve dhe vesveseve të shejtanit është agjërimi. Këtë na e vërtetojnë fjalët e Muhamedit a. s.:
“Shejtani qarkullon nëpër trupin e njeriut sikur gjaku. Vini re! Ngushtoni qarkullimin e tij me uri dhe etje.”
“Kush ka mundësi (materiale dhe fizike), le të martohet, sepse ajo e rrëzon shikimin, e më me siguri e mbron jetën seksuale, e ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është shkatërruesi i epsheve të tij.” (Transmeton Buhariu në Sahihun e tij)
Qëllimi i çdo ibadeti në Islam është që përmes tij të arrihet frika dhe respekti ndaj Allahut xh. sh.. Ky element në Islam paraqet të vetmen masë të çdo përparësie dhe privilegji. Pra, qëllimi kryesor i agjërimit është që përmes tij të arrihet shkalla më e lartë e përsosshmërisë, moralit, e që është “Et Takva”- frika dhe respekti ndaj Allahut xh. sh., e që paraqet, siç thotë Muhjud-din Mustu, “përmbledhësin e çdo cilësie pozitive, çelësin e çdo të mire, rrugën e çdo ndihme, shenjën e çdo besintari dhe qëllimin e çdo abidi (adhuruesi) të Allahut xh. sh.”. Këtë na e vërteton fjala e Kur’anit famëlartë kur thotë: ”Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm …. Që t’u shmangeni mëkateve.”
Nëse agjërimin, si obligim ndaj Allahut xh. sh., e kryejmë me një ndërgjegjshmëri dhe respekt të lartë, atëherë me siguri domethëniet dhe dobitë nga agjërimi do të jenë të panumërta.
Agjërimi – kultivues i sinqeritetit te njeriu
Agjërimi e mëson njeriun të jetë i sinqertë. Mbasi agjërimi është fshehtësi mes Allahut xh. sh. dhe besimtarit, atëherë vërtetësinë e kryerjes së këtij ibadeti e di vetëm Allahu xh. sh.. Ky, pra, është ibadet sekret, i cili nuk kryhet që ta shohë dikush prej njerëzve. Pra, nëse është i sinqertë në kryerjen e obligimeve ndaj Allahut xh. sh. kur nuk e sheh askush, atëherë ai mësohet të jetë i sinqertë edhe ndaj njerëzve në përgjithësi. Si ibadet i tillë, që kryhet vetëm nga ndjenjat e sinqerta ndaj Krijuesit, Allahu xh. sh. i garantom besimtarit shpërblim të posaçëm në botën tjetër:
“Çdo vepër e njeriut është i tij, përveç agjërimit, i cili është për Mua, andaj për të do të shpërblej Unë vetë.” (Hadith kudsi – transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi – qëndrueshmëri dhe durim
Agjërimi njeriun e mëson të jetë i qëndrueshëm dhe durimtar ndaj dëshirave deformuese që i lyp trupi i tij. Nuk ka agjërim pa qëndrueshmëri, pa durim dhe pa adaptim ndaj kushteve më të rënda dhe jo të zakonshme. Nisur nga fakti se agjërimi është veprim jashtë kushteve të zakonshme dhe normale me të cilat është mësuar njeriu, ai pra, duke agjëruar bën durim ndaj hajes, ndaj pijes dhe ndaj dëshirave tjera të epshit; arrin të bëhet sundues i vetvetes dhe i forcave shtazarake dhe destruktive. Të bëhesh sundues i vetvetes, do të thotë me sukses t’u përballosh situatave të ndryshme me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme. Muhamedi a. s. në lidhje me këtë ka thënë: “ … nëse dikush e sulmon ose fillon ta fyejë, le të thotë: ‘…unë agjëroj’.” (Transmeton Buhariu)
Pra, agjërimi e forcon besimin në Allahun xh. sh.. Këtë e shohim nga fjalët e Muhamedit a. s., kur thotë se “ agjërimi është gjysma e durimit”, ndërsa “durimi–sabri është gjysma e besimit – imanit”. Nëse arrijmë ta përfitojmë këtë cilësi të lartë – sabrin, atëherë e kemi përfituar atë cilësi për të cilën Allahu xh. sh. shpërblen pa masë, siç thotë në Kur’anin famëlartë: “…vetëm ata që janë të durueshëm realizojnë shpërblim të pakufizuar”. (Ez Zumer: 10)
Agjërimi – institucion i humanitetit dhe i fisnikërisë së vërtetë
Pa dyshim se agjërimi është institucion i kultivimit dhe edukimit shpirtëror, përmes të cilit njeriu në vete, në praktikë, mëson dhe edukohet të jetë human dhe fisnik i vërtetë. Ai, duke agjëruar, në personalitetin e vet mbjell ndjenjën e humanitetit dhe të fisnikërisë së vërtetë, të cilat vlera e bëjnë atë në vetëdijen e tij dhe praktikën e tij të bëjë vepra të mira ndaj të tjerëve dhe në këtë mënyrë ai fiton ndjenjën për të bashkëjetuar me të tjerët dhe për t’i ndihmuar ata në çdo situatë. Këtë ndjenjë të humanitetit, të bujarisë dhe të solidaritetit njeriu e mbjell mu gjatë kohës kur ai është duke agjëruar dhe, duke e kapluar uria dhe etja, në këto momente, ai në praktikë njeh dhe shijon urinë dhe etjen dhe në këtë mënyrë kupton çka do të thotë të vuajsh nga uria. Shpeshherë kemi rast të lexojmë shtypin dhe mjetet e informimit, nga të cilat në mënyrë të trishtueshme njoftohemi mbi urinë e miliona njerëzve në vende të ndryshme të botës, si në Sudan, Etiopi, Indi, Bangladesh dhe në shumë vende të tjera në mbarë botën. Lexojmë dhe dëgjojmë, por shumica nuk e përjetojnë atë dhe nuk e dinë se çka është uria. Për ta kuptuar dhe shijuar atë, duhet në praktikë të vuajsh nga ajo dhe vetëm atëherë e di se çka është ajo, dhe vetëm atëherë e kupton se duhet t’i ndihmosh atij që vuan nga kjo.
Pra, agjërimi është metoda më e përsosur psikologjike për ta kuptuar nevojën fiziologjike të tjetrit dhe, në të njëjtën kohë, krijon tek njeriu ndjenja të bujarisë, të humanitetit dhe të solidaritetit. Kjo e bën njeriun që të jetë bujar dhe fisnik në çdo moment, në çdo situatë, në çdo vend, duke e kuptuar se pasuria në duart e tij është vetëm mjet për të jetuar, e jo edhe qëllim i jetës. Për këtë Islami gjithmonë kërkon nga pjesëtarët e vet që të jenë bujar dhe fisnikë. Këtë e shohim edhe nga jeta e Muhamedit a. s., i cili ishte bujar i pashembullt, posaçërsisht në ditët e muajit të agjërimit. Agjërimi është rast më i volitshëm për të shijuar nevojën e të tjerëve, rast ku duhet ta ndajë një pjesë të pasurisë së vet, siç është zeqati, sadekatul-fitri dhe ndihmat tjera materiale, për të varfrit dhe skamnorët e ndryshëm në vendin ku jetojnë, ose duhet drejtuar drejt institucioneve të Bashkësisë Fetare Islame, respektivisht për nevojat e saj, e cila me anë të këtyre ndihmave bën çmos që ta mbajë kontinuitetin e një pune të drejtprogramuar dhe solide, dhe e cila garanton një interpretim të drejtë dhe të vërtetë të Islamit në kushtet dhe kohën në të cilën jetojmë.
Agjërimi është rregull më i përsosur social
Agjërimi është rregull më i përsosur social, për arsye se i lidh dhe i bashkon besimtarët mes vete. Para tij janë të barabartë i pasuri dhe i varfri, i bardhi dhe i ziu, mashkulli dhe femra, kryetari dhe qytetari etj. Duke agjëruar, “të gjithë janë barazuar në ndjenjat e tyre” dhe “ të lidhur me shijimin e dhembjes së njëjtë”. Kjo është ajo që ka thënë Jusufi a. s., kur si ministër i ekonomisë gjithmonë e mbante stomakun të uritur dhe kur u pyet se pse e bën këtë, ai është përgjigjur: ”Frikësohem të ngihem, që mos ta harroj të varfrin.”
Agjërimi është forcues i shpirtit të njeriut
Agjërimi është edukues dhe forcues i shpirtit të njeriut, për arsye se ai formon personalitete shpirtërisht të forta dhe të vendosura, me karakter të fortë dhe të vendosur. E bën të matur në qëndrimet e tij, të kuptueshëm në situata të ndryshme, qofshin ato pozitive apo negative. Dijetari i njohur gjerman Gardeti në shkrimet e tij mbi forcimin dhe formimin e vullnetit të fortë të njeriut si bazë e merr agjërimin dhe pohon se “agjërimi është mjet më efektiv dhe më aktiv në të vërtetuarit e fuqisë së shpirtit ndaj trupit, gjë që e bën njeriun sundues të vetvetes”. Duke u formuar si personalitet i këtillë, agjëruesi i hap dyert e shpirtit, shijon ëmbëlsinë e ibadetit dhe afërsinë e Allahut xh. sh.. Kur’ani famëlartë rrëfen për agjërimin e Musait a. s., të cilin Allahu xh. sh. para se të bisedonte me të e urdhëroi që të agjërojë tridhjetë ditë, e pastaj edhe dhjetë ditë të tjera, që t’i shërbejë si përgatitje shpirtërore për bisedë me Allahun xh. sh.. Pra, agjërimi është mjet i bisedës shpirtërore dhe i afrimit tek Allahu xh. sh.. Për atë Allahu xh. sh., mbasi që i urdhëroi besimtarët që të agjërojnë, thotë:
”Dhe kur të të pyesin robërit e mi për Mua, Unë jam me të vërtetë afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet…” (El Bekaretu: 186)
Agjërimi – mbrojtje dhe përtëritje e shëndetit të njeriut
Pa dyshim, agjërimi, si çdo obligim tjetër islam, kryhet për hir të Allahut xh. sh., por çdo obligim islam është bërë obligim dhe porosi hyjnore me qëllim të dobisë së njeriut, respektivisht për formimin e personalitetit të njeriut, me qëllim të aplikimit sa më të lartë të porosive hyjnore dhe sa më me sukses ta kryejë misionin e tij hyjnor në botë, me qëllim që të fitojë edhe botën tjetër, ahiretin. Andaj, edhe agjërimi është dydimensional, edhe atë: i dimensionit shpirtëror, qa ka të bëjë me lidhshmërinë e njeriut me Krijuesin dhe forcimin e marrëdhënieve të tij me Krijuesin; dhe i dimensionit praktik-fizik, që ka të bëjë me ndikimin e obligimeve dhe porosive në sferën fizike-praktike të njeriut, si dhe me krijimin e mënyrës së jetës në këtë botë.
Ekzistojnë të atillë të cilët, duke mos e njohur mirë institucionin e agjërimit, mundohen agjërimit t’ia ngjeshin një të pavërtetë, se gjoja sjell pasoja për shëndetin e agjëruesitt. Mirëpo, e vërteta është krejtësisht ndryshe, për arsye se koncepcioni islam mbi agjërimin është i qartë dhe shumë mirë i definuar. Për ata që dyshojnë se mund të kenë pasoja në shëndetin e tyre, të tillët janë të lirë në haje dhe në pije, sikurse: i çmenduri, fëmija, i sëmuri, udhëtari, femra shtatzënë, femra gjidhënëse, femra në ditët e menstruacionit (hajd dhe nifas).
Për këtë shkak, i sëmuri prej ndonjë sëmundje të përkohshme, udhëtari, femra shtatzënë, femra me fëmijë për gjiri, femra në ditët e veta – hajd dhe nifas, pasi që të evitohet kjo gjendje tek ata, e kanë për detyrë ta kompensojnë agjërimin ditë për ditë, ndërsa plaku i mbetur dhe i sëmuri prej ndonjë sëmundje që nuk ka shërim, nuk e kompensojnë, por ushqejnë një të varfër (dy ushqime mesatare), respektivisht japin vlerën e një sadekatul- fitrit – fidje.
Pra, agjërimi është më se i dobishëm për shëndetin e njeriut. Allahu xh. sh. në Kur’anin famëlartë thotë:
“…Por të agjëroni është më mirë, ta dini.” (El Bekaretu: 184), pastaj: ”… Allahu ju dëshiron lehtësim, e nuk ju dëshiron vështirësi…” (El Bekaretu: 185)
I dërguari i Allahut, Muhamedi a. s., në fjalët e tij në lidhje me agjërimin thotë:
“Agjëroni, të bëheni të shëndoshë.” (Transmeton Taberaniu)
“Çdo gjë ka pastrim, e pastrimi i trupit është agjërimi.” (Transmeton Buhariu)
Fjalët e lartpërmendura tregojnë konceptin se agjërimi është i dobishëm edhe për organizmin e njeriut, edhe për shëndetin e tij dhe në këtë mënyrë provokon shkencën dhe medicinën që ta hulumtojnë këtë fenomen.
Medicina bashkëkohore me gjurmimet e saj të gjera dhe të thella tashmë ka vërtetuar se agjërimi paraqet mbrojtje dhe ripërtëritje të organizmit të njeriut dhe shpeshherë mjekët e njohur atë e kanë emëruar “shkopth magjik, i cili me një shpejtësi të madhe shëron sëmundjet që i sjell lukthi” (Mek Fedon) dhe në të njëjtën kohë paraqet “operacionin pa thikë”. (Dr. Ridlin)
Përveç kësaj, duke u njohur rëndësia e agjërimit në këtë fushë, sot në botën e zhvilluar, sikurse në SHBA, Gjermani, Zvicër, Angli, Suedi, Itali, dhe shumë vende të tjera, ekzistojnë klinika të specializuara, ku me ndihmën e llojeve dhe mënyrave të ndryshme të agjërimit shërohen sëmundje të ndryshme, si: sëmundjet psikike – duke stabilizuar sistemin nervor, sëmundjet e lëkurës – duke normalizuar materiet e tepërta kimike, pastaj agjërimi normalizon shtypjen e gjakut, shëron reumën, sëmundjet e stomakut, zorrët, veshkat, lehtëson frymëmarrjen, mënjanon dhjamin dhe pakëson peshën trupore dhe në tërësi zhduk mbeturinat e dëmshme të ushqimit në trupin e njeriut etj.. E gjithë kjo na jep të kuptojmë rëndësinë e agjërimit edhe në aspektin shëndetësor të njeriut.
Përfundim
Agjërimi, pra, luan rol të rëndësishëm në procesin e përsosshmërisë së moralit të njeriut, është metodë edukative që i përfshin të gjitha sferat e aktivitetit njerëzor. Për atë, agjërimi sot është gjithnjë e më aktual dhe në qendër të vëmendjes së qarqeve shkencore. Andaj, atij i qasen nga të gjitha aspektet dhe sot është lëndë studimi tek etikologët, psikologët, sociologët, filozofët, ekonomistët, mjekët, ndërsa praktika dhe ambienti i muajit të Ramazanit është inspirim i vërtetë edhe te krijuesit letrarë. Ai është burim i pashtershëm për çdo kohë dhe çdo kohë merr prej tij aq sa ka mundësi dhe aftësi për t’u zhytur dhe për t’u thelluar në esencën e agjërimit.
Posaçerisht duhet ta kemi ndër mend se në këtë muaj bie Nata e Kadrit, natë e cila shënon ngjarjen më të rëndësishme dhe më madhështore në historinë e njerëzimit, pse në të zbriti imperativi i Allahut xh. sh. “për të lexuar, mësuar dhe studiuar“, drita e të cilit ndriçoi botën, që ishte në terr, eksploatim, adhurim të idhujve, idoleve, mbretërve, sunduesve etj., natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Me një fjalë, kjo është nata në qetësinë e së cilës besimtari sheh vetveten ashtu sikurse që shihen yjet në natën e kthjellët.
Prandaj, besimtari këtë muaj të begatshëm duhet ta shfrytëzojë deri në maksimum duke u falur, duke u lutur, duke lexuar Kuran dhe, më në fund, duke iu kthyer vetvetes dhe duke u zhytur në të, e kjo do të thotë t’i bëjë pyetje vetvetes: sa është në rrugën e Allahut, sa është i dobishëm për vetveten, për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi?
Begatitë e muajit të Ramazanit nuk mund të arrihen nëse hyjmë në të të papërgatitur. Përgatitja më e madhe për të është nëse e presim me zemra plot të mbushura me pendim – teube, me vendosje – nijet të pastër dhe të sinqertë. Për atë Muhamedi a. s. në fund të muajit Sha’ban shokëve të vet u drejtohej me këto fjalë: ”Në prag e kemi muajin e Ramazanit, muajin e bereqetit, në të cilin Allahu do t’ju përfshijë me mëshirën e tij; ju fal gabimet, ju pranon lutjet, ju sheh sa jeni të dhënë pas punëve të mira, ju lavdëron tek engjëjt; pra, tregoni punë të mira, sepse nuk ka dëshpërim më të madh nëse njeriu nuk përfshihet nga kjo mëshirë e Allahut xh. sh..” (Transmeton Taberaniu)
Pra, nëse agjërimit i hyjmë me bindje të plotë dhe nëse e kuptojmë ashtu si duhet, atëherë agjëruesi do të jetë fitues e jo i fituar, i lartësuar e jo i nënçmuar, më krenar se çdo herë tjetër, më i fortë dhe më i shëndoshë seç ka qenë, i falur nga gabimet dhe i afërt me Allahun xh. sh.; me një fjalë, kryes i vërtetë i obligimit të Allahut, përkatësisht ashtu siç ka thënë Muhamedi a. s.:
”Kush e agjëron Ramazanin në emër të Allahut xh. sh., duke llogaritur në dhuratën e Tij, do t’i falen të gjitha gabimet – mëkatet e mëparshme.” (Transmeton Buhariu)
(Autori është Myfti i Gostivarit)