Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë. (El Bekare, 185)
Nga H. Sulejman Rexhepi
Agjërimi është një prej formave më të hershme të shprehjes së adhurimit ndaj Zotit. Njerëzimi që në fazat e hershme të krijimit të vet është i njohur me këtë ibadet. Në kohën e formimit të Ummetit Muhamed, si çdo gjë tjetër, edhe agjërimi na vjen i formësuar, kuptimplotë, “i kodifikuar” deri në imtësi, duke u ngritur në nivelin e lutjeve fetare të obligueshme. Tani, gjatë Muajit të Agjërimit, gjendemi para një sprove të mrekullueshme, para një momenti kur në mënyrë të çuditshme, secili agjërues, e ndjen peshën e të qenit i devotshëm; është çasti kur vullneti është i papërmbajtshëm në nxitim pas kapjes së devotshmërisë. Ky është muaji i dhembshurisë, i mëshirës, i përulësisë, muaj i dashurisë, i lutjeve, i gjakimit të flaktë për t’u dhënë pas veprave të mira, të dobishme, të bereqetshme.
Ky është ibadeti që i përfshin të gjitha shtresat shoqërore e sociale – të pasurin, të varfrin, të sëmurin e të shëndetshmin. Të gjithë duhet të kënaqen me këtë ibadet jo aq të lehtë. Ata që nuk munden e që kanë pengesa shëndetësore, do të detyrohen në humanizëm e në solidaritet. Do t’ua blejnë të varfërve nga një vakt. Një muaj të plotë të gjithë myslimanët do të ndjehen të kënaqur e të lumtur, të gëzuar e të buzëqeshur. Ky është ibadeti që i afron deri në vëllazërim të ngushtë njerëzit mes vete, duke e shtuar dashurinë ndaj anëtarëve të familjes, ndaj komunitetit, ndaj popullit. Kësisoj, kjo dashuri prek fuqishëm edhe vendlindjen, atdheun, pastaj prek edhe ligjet që mbrojnë kombin e atdheun, prek edhe ligjet dhe porositë e shenjta që rregullojnë dhe mbrojnë besimin, fenë e Zotit.
Në Muajin Ramazan, në një Natë të Bukur, në një natë që vlen sa një mijë muaj, do me thënë që vlen më shumë se një jetë e tërë e një njeriu, nisi të shpallet Kurani Madhështor, Libri i Shenjtë që ofroi fakte e rregulla për gjithçka në tokë e në qiell. Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë. (El Bekare, 185)
Pra, agjërimi u bë obligim pikërisht në këtë muaj, kur nis të shfaqen shenjat dalluese të së mirës nga e keqja. Shenja më e përkryer e së mirës është përulësia, reflektimi, devotshmëria! Shenja më dalluese e së keqes është lakmia, epshi, djallëzia. Përmes agjërimit pa dyshim që luftohen të gjitha shenjat dalluese të së keqes. Transmetohet në një hadith, ku Pejgamberi ynë, Muhamedi (s.a.v.s.), ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij. Një e mirë shpërblehet sa dhjetë sosh dhe deri në shtatëqind herë shumëfishohet shpërblimi. E Zoti ka thënë: “Përpos agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, për shkak se njeriu e braktis ushqimin për Mua, e braktis pijen për Mua, i braktis të këndshmet për Mua, e braktis gruan e tij për Mua. Era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njërin gëzim kur të hajë iftar dhe tjetrin kur ta takojë Zotin e vet.”
Pra, vetë akti i agjërimit e nxit njeriun që të reflektojë mirë e mbarë, të angazhohet për të mirën dhe të bukurën, të veprojë ndershëm dhe besueshëm. Gjatë agjërimit njeriu vetvetiu ndjen një transformim të pashpjegueshëm brenda vetes-si në organizëm, ashtu edhe në mendje e në shpirt. Gjatë agjërimit çuditërisht provohet dhe ndjehet zbutja e asaj “egërsie” që gjendet te çdo krijesë njerëzore. Intimisht njeriu ndjen nevojë që të shkarkohet nga kjo energji negative, nga kjo “bishë e egër” brenda vetes dhe këtë e arrin pikërisht duke e kryer këtë ibadet. Vetëm gjatë muajit të Ramazanit njeriu i krijon mundësi vetes për ta vlerësuar veten, sepse e sheh dhe e dallon se sa është i mirë, sa ka qenë në rrugë jo të mbarë, sa shpirtmirë që është, sa i dashur, sa i guximshëm e sa i gatshëm për përulësi të përjetshme.
Muaji i Ramazanit është periudhë e shtimit të ibadeteve, të lutjeve, por edhe i reflektimeve mbi spastrimin e shpirtit, mbi gjetjen e rrugëdaljeve nga problemet e përditshme. Vetëm në këtë muaj, në momentin e reflektimeve, çuditërisht ndjehet një nevojë e zjarrtë për dituri, për arsimim, për edukim, për të qenë model i përhershëm i njeriut të mirë. Agjërimi, si veprim, është akt i mrekullueshëm, sepse bëhet për Zotin, sepse të bën të mirë, të butë, të dashur. Është i vështirë, por është një sprovë e këndshme; është i rëndë, por është shumë i shpërblyeshëm. Lum ai që e pret këtë muaj të agjërimit. Pejgamberi (a. s.) ka thënë: “Është një portë në Xhenet që quhet Rejjan, nga e cila do të hyjnë agjëruesit Ditën e Ringjalljes dhe askush tjetër nuk do të hyjë andej, përveç atyre. Do të thirret: ‘Ku janë agjëruesit?’ Ata do të ngrihen dhe askush tjetër nuk do të hyjë nga ajo portë, përveç atyre. Kur ata të kenë hyrë të gjithë, ajo do të mbyllet dhe askush nuk do të hyjë më që andej.”
Nuk flitet këtu për agjërimin si formë, si një “rregull” sa për ta kaluar, apo si një akt sa për t’ua plotësuar dëshirën agjëruesve të tjerë që na rrethojnë. Këtu flitet vetëm për atë agjërim që bëhet për Zot dhe që i dedikohet vetëm Atij. Agjëruesi i qaset agjërimit duke qenë i bindur se gjatë kësaj kohe ai i është dhënë me shpirt e me vepra Krijuesit të vet. E te krijuesi ynë mund të kemi qasje vetëm me shpirt të pastër e me vepra të mira. Kjo devotshmëri mund të ndjehet gjatë këtij Muaji të Agjërimit, gjatë këtij Muaji të cilin Krijuesi i Gjithësisë e shenjtëroi me fillimin e Shpalljes së Librit, që është Arka e të gjitha të mirave të kësaj bote dhe e Ahiretit.
Ju ftoj, besimtarë të dashur, që këtë muaj ta përmbushni vetëm me ibadete dhe me akte solidare. Duke e sprovuar devotshmërinë tonë, ne do të jemi më të dashur, do të shtojmë dashurinë për njëri-tjetrin, për të mirën, për të shenjtën. Me lutje drejtuar Zotit të Madhërishëm që këtë Muaj ta kalojmë mirë e mbarë – ju qoftë për hair të gjithëve ky Muaj i Shenjtë. Mëshira, dashuria, bekimi i Zotit të Gjithëmëshirshëm qofshin mbi ne, mbi popullin tonë, mbi myslimanët dhe mbi gjithë njerëzimin. Paqja e këtij Muaji mbisundoftë përjetë.
(Autori është Reis’ul-Ulema i BFI në RM)