Ministria e Shëndetësisë njofton se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike në zonën e Gostivarit, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë një rënie fillestare të numrit të pacientëve të rinj që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenterokolitit.
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore, deri më tani në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë regjistruar gjithsej 1.554 pacientë, ndërsa në Qendrën Shëndetësore të Gostivarit 1.392 pacientë. Katër pacientët që ishin të shtruar në spital janë liruar dhe kanë vazhduar trajtimin në kushte shtëpie.
Ministria bën të ditur se deri tani janë paraqitur 140 raportime zyrtare, të cilat po shqyrtohen nga ekipet epidemiologjike të Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë dhe Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, janë realizuar 81 anketa epidemiologjike për të përcaktuar shkaqet dhe përhapjen e rasteve.
Sa i përket numrit ditor të pacientëve të rinj, të dhënat tregojnë se më 19 korrik në spital dhe në qendrën shëndetësore janë evidentuar gjithsej 564 pacientë të sapoekzaminuar. Ky numër paraqet një ulje krahasuar me ditën paraprake, kur u regjistruan 649 pacientë të rinj, shifra më e lartë e shënuar brenda një dite.
Nga Ministria theksojnë se gjendja klinike e shumicës së pacientëve është e lehtë dhe se po vijojnë të gjitha masat e nevojshme epidemiologjike, laboratorike dhe parandaluese për kontrollin e situatës.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet për higjienë dhe sigurinë ushqimore, ndërsa ekipet përgjegjëse do të vijojnë monitorimin e situatës në terren.
MARKETING



