
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka njoftuar sot se kriza politike në Maqedoni po përkeqësohet duke shtuar se vendi është nën ndikim nga jashtë, ndërsa zgjedhjet e 11 dhjetorit, sipas tyre, nuk kanë kontribuar në përmirësimin e situatës.
“Nën sloganet pseudo-demokratike vazhdon ndikimi i thellë i jashtëm mbi forcat politike në Maqedoni. Qëllimi është i qartë, perëndimi dëshiron të heq qafe politikanët që nuk i shkojnë përshtatë edhe përkundër vullnetit të qartë të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet në favor të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’ në krye me Nikolla Gruevskin dhe BDI-së, Ali Ahmeti”.
Më tej në deklaratë thuhet se ajo që paraqet shqetësim, është fakti se në një shoqëri multietnike dhe multikonfensionale siç është Maqedonia, ku ka pasur konflikt të rëndë ndërnacional, “politikanë të një bashkësie etnike në bazë të ultimatumeve të dirigjuara nga jashtë faktikisht vendosin se cila nga blloqet e bashkësisë tjetër duhet të hyjë në përbërjen e koalicionit të ardhshëm qeveritarë”
“Manipulimi i paskrupull makijavelistik me vullnetin e votuesve mund të shkaktoj eskalim të situatës në Maqedoni dhe të prish stabilitetin e brishtë në tërë rajonin. Jemi të bindur se vetëm më refuzim të ndikimeve të jashtëm dhe me fokusim në demokracinë e vërtetë, dhe zgjidhje të problemeve në mënyrë vetanake, janë baza për përforcimin e besimit mes popujve që jetojnë aty dhe krijimin e klimës rajonale për siguri”, thuhet në reagimin e MPJ-së ruse, përcjell “SHENJA”.
Pasi që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk arriti të formoj Qeveri, kryetari Gjorge Ivanov dje pas takimit me liderët e partive, deklaroi se Qeveri do të formoj ai që do të dëshmojë se do të siguroj shumicë në Kuvend.