Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër deklaratat fyese të bëra kundër Kryeministrit dhe institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Bullgarisë, Georg Georgiev, gjatë paraqitjes së sotme si i ftuar në programin e mëngjesit të televizionit bullgar “BTV“.
Në këtë drejtim, Ministria sot thirri në takim Ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Shkup, Zheljasko Radukov, të cilit iu përcoll protesta zyrtare dhe u theksua papërshtatshmëria e një diskursi të tillë publik nga një zyrtar i lartë i qeverisë bullgare.
“Deklarata të tilla, të cilat përdorin gjuhë të papërshtatshme dhe nënçmojnë përfaqësuesit e një shteti sovran, përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe komunikimit diplomatik. Ato nuk kontribuojnë në përparimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe janë në kundërshtim me frymën e dialogut konstruktiv dhe respektit të ndërsjellë që duhet të udhëheqë bashkëpunimin midis dy vendeve”, njoftojnë ngaMinistria.
Ata thonë se presin një kërkimfalje të përshtatshme nga Sofja zyrtare, me qëllim ruajtjen e komunikimit dypalësh dinjitoz dhe parimor.
Georg Georgiev deklaroi se duke hequr “gjuhën dhe identitetin maqedonas” nga raporti për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian (PE), ata arritën të parandalojnë që PE të përdoret për propagandën politike të brendshme të, siç e quajti Mickoski, kryeministrit “maqedonasverior“.