Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë detaje të tjera se për çfarë veprash dyshohet biznesmeni dhe ish funksionari i LSDM-së, Lupço Palevski, i cili është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
“Personi L. P. mbrëmë është arrestuar dhe dërguar në stacion policor, me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Për informata plotësuese drejtohuni tek Prokuroria Speciale”, thonë nga MPB për Televizionin Shenja.
As Prokuroria Speciale nuk dha detaje se për çfarë veprash dyshohet Palevski dhe cila ka qenë arsyeja e arrestimit. Edhe pse kemi dërguar pyetje në adresë të këtij institucioni, deri tani nuk kemi asnjë përgjigje.
Detajet e vetme që dihen jozyrtarisht deri tani janë se Palevski dyshohet për lëshimin e bisedave të përgjuara telefonike në rrjetin social “Youtube” me emrin e koduar “Tesla”. Ky emër pati lëshuar disa biseda private të ish deputetes së BDI-së Ermira Mehmeti, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ish kryeministrit Hari Kostov, biznesmenit Jordan Kamçev, redaktorëve të televizonit “Sitel” Dragan Pavlloviç Llatas dhe Ivona Talevska, gazetares Olivera Trajkovska dhe analistit Mersel Bilalli, liderit të PDSH-së, Menduh Thaçit e të tjerë. Ermira Mehmeti, Llatasi dhe Talevska patën denoncuar publikimin e bisedave private në internet deri tek Prokuroria Speciale, por asnjëherë nuk janë dhënë detaje nëse ka nisur ndonjë hetim për autorin.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

