Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i sigurt”, në periudhën nga 20 deri 31 janar do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit. Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjeteve në vendet ku kryhet testimi nuk do t’u lejohet të kalojnë ndërsa procedura është në zhvillim e sipër. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në vendet me kamera të instaluara në zonën e qytetit të Shkupit”.
“U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim që të sigurohet zbatimi i qetë dhe i sigurt i aktiviteteve të planifikuara”, thonë nga MPB.


