Sot në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u mbajt promovimi i dokumentit “Vlerësimi i kërcënimit nga krimi i organizuar dhe i krimeve të rënda – SOCTA 2025”.
Ky aktivitet i organizuar me mbështetjen e BE-së për të forcuar luftën kundër kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore për Ballkanin Perëndimor (EU4FAST), përfaqëson një hap kyç në përmirësimin e kapaciteteve nacionale për t’iu përgjigjur sfidave që lidhen me krimin e rëndë dhe të organizuar.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme, Aleksandar Janev, theksoi në fjalimin e tij se SOCTA 2025 paraqet një vazhdim të ciklit strategjik për vlerësimin e kërcënimeve, me qëllim përcaktimin e prioriteteve, si dhe krijimin e strategjive dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operative, dhe konfirmoi se vetë dokumenti do të kontribuojë në një efektivitet më të madh në parandalimin dhe luftën kundër krimit përmes një qasje gjithëpërfshirëse, të koordinuar dhe strategjike.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë është një sfidë që meriton vëmendje nga të gjithë faktorët që janë kompetentë dhe të obliguar të veprojnë dhe të luftojnë krimin në këtë fushë. Pikërisht ky është qëllimi i këtij vlerësimi i cili është një dokument strategjik i zhvilluar në mënyrë sistematike që synon të zbulojë kërcënimet nga krimi i organizuar dhe krimi i rëndë, duke përfshirë ato që janë realisht të pranishme dhe kërcënuese në këtë periudhë, si dhe ato që po shfaqen ose mund të zhvillohen në periudhën e ardhshme”, shpjegoi drejtori Janev.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Janev në fund konkludoi se Vlerësimi është një mjet sistemik për ndërtimin e një Strategjie nacionale për luftimin e krimit të organizuar, e cila duhet të miratohet si një dokument formal që do të jetë baza dhe imperativi për veprimet e të gjithë palëve të përfshira në këtë fushë.