Zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva sot ka mohuar plotësisht akuzat e LSDM-së se MPB-ja furnizon softuer të dyshimtë për përgjim.
Siç theksoi ajo, gjithçka që u prezantua në konferencën për shtyp të LSDM-së është gënjeshtër.
Konferencën për shtyp e mbajti nënkryetari i LSDM-së Metodija Ilievski i cili tha se OBRM-PDUKM po kthehet në rrugët e saj të vjetra dhe po vendos praktika regjimi të kontrollit përmes frikësimit dhe përgjimit të gazetarëve, aktivistëve dhe atyre që nuk mendojnë njëjtë si ta, ndërsa në fillim të majit të këtij viti, MPB nënshkroi Marrëveshje për furnizimin e softuerit që përdoret për përgjim dhe spiunazh të pajisjeve telefonike.
“E demantoj plotësisht konferencën për shtyp të LSDM-së dhe gjithçka që është thënë në të është gënjeshtër. LSDM është partia politike e cila gjatë kohës sa ishte në pushtet furnizoi atë softuer për forenzikë dhe e di saktë se softueri nuk mund të funksionojë pa licencë. Ato licenca furnizohen gjithmonë çdo vit sepse ato pajisje janë të destinuara për forenzikën digjitale. Kjo marrëveshje që ata po përmendin është një marrëveshje kornizë për tre vjet për furnizimin e licencave dhe asgjë më shumë se kaq. Imagjinoni, ata furnizojnë pajisje në kohën e tyre, sot dalin në konferencë për shtyp dhe përhapin gënjeshtra. Mendoj se ka mungesë totale idesh në LSDM”, theksoi Miteva duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Qeveri.
Lidhur me marshin e djeshëm nga familjet e viktimave të zjarrit në Koçan dhe kërkesat e tyre për dorëheqje dhe llogaridhënie të kreut shtetëror, Miteva përsëriti edhe një herë se Qeveria e kupton dhimbjen e familjeve, por në tubim tha ajo “u dëgjuan sulme personale që struktura politike mëtojnë t’i shfrytëzojnë për ndonjë prapavijë politike”.
“E kuptojmë plotësisht dhimbjen e familjeve, por nga ana tjetër u dëgjuan sulme personale që disa struktura politike tentojnë t’i shfrytëzojnë për ndonjë prapavijë politike. Më vjen shumë keq që disa struktura politike kanë një traditë të nekrofilisë”, nënvizoi zëdhënësja e qeverisë.