Ministria e Punëve të Brendshme njofton se duke filluar nga nesër, më 17.12.2025, qytetarët do të kenë mundësi të paraqesin kërkesë për ndryshimin ose korrigjimin e të dhënave të kontaktit që kanë deklaruar gjatë regjistrimit të automjeteve.
Për këtë qëllim, është hapur një sportel i posaçëm në Departamentin e Çështjeve Civile, në ndërtesën e MTV-së në Shkup (kati përdhes), i cili do të funksionojë çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 17:00. Kërkesat mund të dorëzohen në rast se ka pasur ndryshim të të dhënave ose nëse qytetarët kanë pranuar njoftime me informacione të pasakta.
Nga MPB bëjnë të ditur se i njëjti shërbim mund të realizohet edhe përmes stacioneve të kontrollit teknik të automjeteve, në ato pika ku është i pranishëm një oficer i MPB-së.
Gjithashtu, qytetarët kanë mundësi të dërgojnë shënime me shkrim përmes emailit në adresën [email protected], për çdo paqartësi, pyetje apo problem që lidhet me funksionimin dhe zbatimin e sistemit “Qytet i Sigurt”.
“Të gjitha shënimet e pranuara do të regjistrohen dhe do të shqyrtohen në përputhje me procedurat e përcaktuara, me qëllim përmirësimin e funksionimit të sistemit dhe forcimin e komunikimit me qytetarët”, theksojnë nga MPB.


