Gjatë periudhës së heshtjes parazgjedhore, nga 1 nëntori 2025 deri në orën 07:00 të 2 nëntorit, pra deri në hapjen e vendvotimeve, janë regjistruar gjithsej 10 raportime për shkelje të heshtjes zgjedhore.
Sipas të dhënave zyrtare, nga tre raste janë evidentuar në zonat e SPB Shkup dhe SPB Ohër, dy raste në zonën e SPB Shtip, ndërsa nga një rast është regjistruar në SPB Tetovë dhe SPB Manastir.
Përveç këtyre, gjatë heshtjes zgjedhore janë regjistruar edhe 19 postime në rrjetet sociale, të cilat përmbanin thirrje për të votuar për kandidatë të caktuar, si dhe video e fotografi nga aktivitete partiake, që përbëjnë shkelje të rregullave të heshtjes.
Lidhur me procesin e votimit, më 1 nëntor 2025 është evidentuar një incident në shkollën fillore “26 Korriku” në komunën Shuto Orizarë, ku është fotografuar një kuti me fletëvotime. Në lidhje me këtë rast, është ndaluar një person dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


