Përkeqësimi i motit në Shqipëri, si reshje shiu dhe dëbore të dendura, ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rrugë.
Akset rrugore si “Bajram Curri-Valbonë”, “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, “Bogë-Qafë Thorë-Theth” dhe “Tamarë-Selcë-Vermosh”, kanë vështirësi qarkullimi, ndaj mjetet duhet të kalojnë me zinxhirë.
Aktualisht aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë”, në Dibër, është i pakalueshëm pasi po punohet për pastrimin e rrugës nga dëbora.
Sakaq, Policia e Shtetit bën apel për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.
NJOFTIM
Për shkak të reshjeve të dëborës në disa zona malore të vendit dhe të reshjeve të shiut në të gjitha qarqet e vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.
Si pasojë e reshjeve të dëborës në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë më shumë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Aktualisht, ka vështirësi në qarkullim në akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, në Kukës, “Bogë-Qafë Thorë-Theth” dhe “Tamarë-Selcë-Vermosh”, në Shkodër, Automjetet në këto akse duhet të kalojnë me zinxhirë.
Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë”, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.
Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe për hedhjen e kripës.
Njëkohësisht masa janë marrë në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane, për shkak të reshjeve të shiut. Në këto kushte, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.
Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do të shkojnë menjëherë pranë tyre, për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme.