Gjendja në Maqedoni e shkaktuar nga vërshimet e borës dhe temperaturat e ulëta, në përgjithësi është nën kontroll, por me sfida serioze që mund të zhvillohen e të cilat mund të shkaktojnë probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë, por edhe probleme në komunikacion. Kështu deklaruan sot nga Komitetit për Menaxhimin e Krizave. Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorçev tha se shërbimet kompetente bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre në nivel qendror dhe lokal që të tejkalohen sfidat me të cilat po ballafaqohemi.
“Nga ana e të gjitha shërbimeve të cilat janë në terren, personat zyrtar dhe institucionet kompetente është vlerësuar se nata e mbrëmshme ka kaluar me probleme më të vogla nga të djeshmet. Kjo nuk duhet të na relaksojë përkundrazi edhe më tej duhet të qëndrojmë të përkushtuar”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgiev.
Gjorgiev shtoi se institucionet mbeten të gatshme në çdo moment të veprojnë dhe në çdo pjesë të vendit për të bërë gjithçka që është në dorën e tyre.
Nadica Vëçkova nga kjo Qendër potencoi se rrugët magjistrale në vend dhe pjesa më e madhe e atyre rajonale janë të kalueshme, në kushte dimërore dhe në mënyrë të vështirësuar.
“Sipas informatave të cilat i kemi nga qendrat rajonale për menaxhim me kriza, gjatë 24 orëve të shkuara kaloi relativisht qetë dhe pa probleme më të mëdha…Ka vende në lartësi më të larta mbidetare në disa komuna në të cilat rrugët janë të pakalueshme, si në Rankovc, Shtip, Strugë, Kumanovë, Çuçer Sandevë,…të cilat edhe zakonisht gjatë periudhës së dimrit janë të shkëputura”, tha Natasha Vëçkova nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Vëçkova theksoi se komunikacioni ajror dhe ai hekurudhor po zhvillohen rregullisht , përveç në pjesën e hekurudhës prej Velesit drejt Koçanit, ku prej mbrëmë, prej orës 21 ka shtresa të grumbulluara bore. Ndërsa, Maria Anastasova nga Shërbimi për ndihmë të shpejtë mjekësore e Qytetit të Shkupit theksoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur 48, ndërsa sot deri në orën 15:00, 40 intervenime.
“Kemi numër të shtuar të thirrjeve dhe intervenimeve në 24 orët e fundit, megjithatë ishin të zakonshme për periudhën e dimrit. Në periudhën prej orës 8:00 dje deri sot në orën 8:00 janë kryer 148 intervenime, ndërsa sot prej orës 8:00 deri në orën 15:00 40 intervenime prej të cilave nuk pati asnjë fatkeqësi komunikacioni apo fraktura si pasojë e rënies nga lëvizja”, tha Maria Anastasova nga Shërbimi për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore.
Atanasova Rekomandoi që nëse qytetarët kanë nevojë të kryejnë obligime të caktuara, ta bëjnë këtë në pjesën e ditës kur temperaturat janë më të larta dhe t’i respektojnë rekomandimet.